Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se NATO është shumë e fokusuar në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. Ai ka deklaruar se forcat e Aleancës janë të afta, të përgaditura dhe në gjendje gatishmërie.
Duke komentuar situatën e tensionuar në veri pas vendosjes së barrikadave, Stoltenberg ka thënë se po monitorohet situata me vëmendjen të madhe.
“Forcat tona janë të afta dhe të përgatitura, por edhe në gjendje gatishmërie. Po e monitorojnë situatën me vëmendje të madhe. NATO dhe BE bashkëpunojnë shumë ngushtë dhe mesazhi im për të dyja palët është që të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejmë dhe retorika provokuese. U bëj thirrje që t’i ulin tensionet në Kosovë”, ka thënë Stoltenberg në një intervistë për France24.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ia ka adresuar edhe forcave të KFOR-it heqjen e barrikadave të vendosura në veri. Kryeministria ka deklaruar se barrikadat do të hiqen nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me KFOR-in.
Sipas Qeverisë Kosovës, kjo situatë nuk do të tolerohet gjatë.
Stoltenberg ka thënë se NATO ka një histori suksesesh në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur ndaljen e dy luftrave, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, shkruan Gazeta Express
“NATO është shumë e fokusuar në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë, kemi ndihmuar në ndalimin e dy luftërave etnike. Fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë, e më vonë në Kosovë. Natyrisht, ne jemi ende të pranishëm atje, forcat e KFOR-it numërojnë më shumë se 4,000 ushtarë dhe kanë një rol kyç në stabilizimin e situatës”, ka thënë Stoltenberg.
Gjatë intervistës, duke folur për luftën në Ukrainë dhe mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia, Stoltenberg ka thënë se NATO-ja ia ka bërë të qartë presidentit Vladimir Putin, se një veprim i tillë do të kishte pasoja të rënda dhe dramatike për Rusinë.
Këtë fjalor të Putinit, Stoltenberg e ka vlerësuar të rrezikshme të pamatur.