Shaban Saliu, një inovator nga Tetova vazhdon me përkushtim që të sjellë inovacione të reja. Ndonëse pa përkrahje institucionale, ai së fundmi ka punuar në shpikjen e një motori me bateri. Në fakt, ky është motor me tre rrota që rrënjët i ka tek një motor më i vjetër por që tash ai projekt është avancuar.
“Vazhdon projekti i motorit të parë, është ky variant i avancuar i tij, me këtë kam arritur deri në 80 përqind, pasi që i pari ishte 50 përqind. Funksionon me bateri litium. Janë bateri më të përsosura se ata të parët dhe përmes një magneti regjenerues, kurse në fund duhet të funksionojë me energjinë e diellit”, thotë për Televizionin Koha inovatori nga Tetova Shaban Saliu.
Ai është shprehur se këta bateri mund të mbushen për gjashtë orë dhe mund të kalohen deri në 100 kilometra, kurse mbushja kushton vetëm 40 denarë.
“Me një mbushje mund të lëvizish nga 80 deri në 100 kilometra sepse janë bateri të vjetra, nëse janë bateri të reja, ku kemi vendosur 1400 copë të tilla dhe nëse janë të reja mund të bësh deri në 200 kilometra. Këta kiloemtra mund të bëhen duke harxhuar vetëm 100 denarë”, sqaron Saliu, njofton Televizioni Koha.
Mirëpo, ky inovator nga Tetova shpreson se avancimi i këtij projekti do të jetë i suksesshëm, duke patur parasysh se mbushja e baterive do të bëhet me energjinë e diellit.
“Faza e dytë është përmes magnetit regjenerativ, faza e tretë me energjinë e diellit ku harxhimi minimum të jetë 200 ose 300 denarë për tërë vitin, pra nëse arrijë ta bëj me atë magnetin dhe me energjinë e diellit. Vetëm se bateritë do të duhet të jenë të reja. Parashihet që të ketë edhe bateri rezervë dhe mendoj se do të jetë projekt i sukesshëm”, nënvizon inovatori nga Tetova Shaban Saliu, transmeton Televizioni Koha.
Forca e motorit është 5 kilovat për tre persona, kurse me fuqinë aktuale Shabani, ka arritur që të ngjitet deri në Kodrën e Diellit. Ai nënvizon se harxhimi ka qenë minimal, kurse deri me tani, ka munguar përkrahja institucionale.
“Kam udhëtuar deri në Kodrën e Diellit, pastaj tek stanet e Shipkovicës.Harxhimi mos them ka qenë 30 denarë deri tek stanet me këta bateri të vjetra.Do të punohet edhe më tej, kam përkrahjen e shumë shokëve dhe i falënderoj. Nuk ka përkrahje nga institucionet dhe ky projekt ka kushtuar deri më tani rreth dy mijë euro, kurse përkrahje nuk kam”, thekso Saliu, njofton Televizioni Koha.
Shaban Saliu nga Tetova krahas shumë projekteve të suksesshme që kishte realizuar në të kaluarën në fushën e inovacionit dhe teknologjisë së fundi ka sjellë disa projekte të reja siç është një djep që funksionon me rrymë elektrike dhe luhatësen elektrike. /Tv Koha/
VIDEO: