Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milos Vucevic, ka vizituar sot njësitet e ushtrisë serbe në garnizonet në Rashkë dhe Novi Pazar. Sipas tij, ushtria serbe nuk dëshiron konflikte, por se është e gatshme të zbatojë çdo urdhër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic për të mbrojtur shtetin e Serbisë dhe të gjithë qytetarët e saj, transmeton Gazeta Metro.
Siç raporton mediumi serb ‘Kosovo Online’ pas bisedës me pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Serbisë në kazermën ‘Stefan Nemanja’ në Rashkë dhe ‘Rifat Burdzevic – Trso’ në Novi Pazar, ai ka vlerësuar lart pajisjet dhe stërvitjen e tyre.
“Edhe një herë fitova besimin dhe në bisedën me pleqtë dhe ushtarët mora konfirmimin se Ushtria Serbe është e gatshme të kryejë çdo detyrë që merr nga Komandanti Suprem për të mbrojtur integritetin e vendit tonë, sovranitetin e Republikës të Serbisë dhe mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të saj”, tha ai.
Vucevic ka thënë gjithashtu se kinse ushtria serbe nuk dëshiron konflikte apo luftëra ”por është e gatshme të mbrojë vendin”.
“Me ushtrinë serbe, të gjithë qytetarët e Serbisë janë të sigurt. Besoni në ushtrinë tuaj! Ushtria nuk dëshiron konflikte, luftëra, por është e gatshme të mbrojë vendin tonë dhe të gjithë qytetarët e saj”, tha ai.