Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se për t’u ruajtur paqja në Kosovë, duhet të plotësohet një kusht, që sipas tij është i thjeshtë.
Gjatë një bisede telefonike që Vuçiqi ka pasur me zëvendëspresidentin e Këshillit të Ministrave dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, ai i ka thënë kryediplomatit italian që për t’u ruajtur stabiliteti në Kosovë duhet të zbatohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit.
Siç njofton Presidenca e Serbisë, Tajani i ka theksuar Vuçiqit në një bisedë telefonike se është e nevojshme të ruhet paqja dhe stabiliteti dhe për këtë ka kërkuar deeskalimin e situatës në Kosovë, si dhe kthimin e serbëve në institucionet në Prishtinë.
“Vuçiqi ka thënë se për këtë është e nevojshme të plotësohet një kusht i vogël dhe i thjeshtë, që është respektimi i Marrëveshjes së Brukselit, gjegjësisht formimi i Unionit të Komunave Serbe, për të cilin Prishtina u angazhua duke e nënshkruar gati dhjetë vjet më parë, dhe se çdo gjë tjetër është produkt i vendimeve dhe lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës”, thuhet në deklaratë.
Të martën në Zubin-Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, derisa kanë tentuar t’i hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore, janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër, nga persona të panjohur. Si pasojë e kësaj atyre u është pamundësuar vazhdimi i procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri. Sulme në veri ka pasur edhe të mërkurën.
Zgjedhjet për kryetar të katër komunave në veri: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, janë caktuar që të mbahen më 18 dhjetor. Ndërkaq, zgjedhjet për kuvendet komunale në komunat Zveçan dhe Leposaviq do të mbahen më 25 dhjetor.
Mirëpo ambasadorët e SHBA-së dhe Gjermanisë, respektivisht Jeff Hovenier dhe Jorn Rohde kanë kërkuar që zgjedhjet të shtyhen, me arsyetimin se nuk ka mjedis të favorshëm për zhvillimin e tyre.