Drejtori i Përgjithshëm i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi, ka bërë me dije se banorët e Big Brother VIP Kosova kanë tymosur duhan të mbështjelle dhe jo cigare të dyshimta.
Ky sqarim i Kelmendit vjen pas raportimeve se banorët e Big Brother VIP Kosova mund të jenë duke tymosur cigare të dyshimta, njofton Klan Kosova.
Ai ka shtuar se lidhur me këto dyshime, sot pasdite ka pasur edhe një vizitë nga përfaqësues të Policisë së Kosovës, të cilët me urdhër të prokurorit, kanë zhvilluar biseda me persona përgjegjës të produksionit të spektaklit dhe kanë vërtetuar se bëhet fjalë për duhan.
Gazetari Kelmendi ka konfirmuar se nuk bëhet fjalë për bastisje, ose diçka të ngjashme.
“Megjithatë, ne kemi marrë masa që të eliminohet krejtësisht nga hapësira e shtëpisë së spektaklit duhani i llojit të tillë, i mbështjellë, me qëllimin që të shmangim edhe sugjestionimin eventual se në këtë mënyrë po promovohen substanca të ndaluara”.
“Secili nga banorët e shtëpisë së BBVK kanë nënshkruar një kontratë shumëfaqëshe me produksionin, në të cilën nënvizohen gjërat e lejuara dhe të ndaluara për kohën sa qëndrojnë brenda këtij prodhimi televiziv, kurse ne si produksion do ta shtojmë vigjilencën që situata të cilat mund të sjellin keqkuptime të eliminohen për aq sa munden”.
Tutje, ai ka sqaruar se një numër i konsiderueshëm i stafit të angazhuar për projektin e BBVK jo domosdoshmërisht kanë përvojë të mëhershme televizive.
“Së këndejmi, kemi vërejtur se ditë më herët na është përvjedhur brenda shtëpisë edhe një produkt i padëshiruar konsumues. Edhe me këtë rast, është intervenuar menjëherë që produktet e tilla konsumuese të largohen nga hapësirat e shtëpisë”.
“Mbi të gjitha, ne duam të ju falënderojmë shumë për përkrahjen që kemi marrë nga shikuesit e shumë të spektaklit të parë Big Brother në Kosovë dhe, po ashtu, edhe për kritikat. Të gjitha janë të mirëseardhura, meqë kjo është hera e parë edhe për ne që realizojmë një spektakël të përmasave të këtilla dhe disa lëshime edhe mund të ndodhin”.
“Nëse dikush është ndier i ofenduar nga ndonjë lëshim i paqëllimshëm, duam të kërkojmë falje! Faleminderit! Dhe na shikoni, na shkruani, na kritikoni dhe përgëzoni edhe në 95 ditët në vazhdim! Shihemi sonte prej 21:00, me spektaklin e dytë me radhë!”, ka thënë Kelmendi.