Vuçiç: Nuk e di pse Kurti do tensione çdo javë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se është duke i përcjellur zhvillimet në Kosovë, pasi u raportua se në orët e pasdites dyshohet se ka pasur shkrepje armësh e shpërthime në Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut, por nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.

“Mirë që sipas të dhënave të deritanishme nuk kemi asnjë informacion për të lënduar. Nuk e di se çfarë i shtyn këta persona. Nuk e kam të qartë pse duan të shkaktojnë tensione çdo javë”, u shpreh ai nga Tirana, transmeton mediumi serb Tv Pink.

“Ne qëndrojmë së bashku me popullin tonë në Kosovë, por është gjithashtu e rëndësishme që të përpiqemi të pajtohemi për gjithçka që është e mundur me shqiptarët, për të ruajtur paqen”, pohoi ai.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ai ka deklaruar se Serbia është e gatshme për të gjetur kompromis.

“Ne thamë cilat janë linjat tona të kuqe dhe çfarë nuk do të pranojmë. Ne duam të flasim, jemi të gatshëm të bëjmë kompromis dhe do të vazhdojmë të flasim”, theksoi Vuçiç.

Ai është përgjigjur edhe në pyetjen e një gazetari për planin franko-gjerman dhe takimin e ardhshëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Çështja nuk është se kur dhe ku do të takohem me Kurtin, do ta bëj kur të na propozojnë nga BE-ja”.

“Pyetja e vërtetë është cila do të jetë përmbajtja e kësaj zgjidhjeje kompromisi”, përfundoi ai.