“Është gjë e paarsyeshme që të ketë afat kohor, ju e dëgjuat sot Borellin”, ka thënë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Tiranë, duke folur për deklarimet se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të “planit franko-gjerman” duhet të konkludohet para marsit të vitit 2023, shkruan Portali Realiteti.
“Si të zgjidhni diçka për tre muaj që s’kemi mundur ta zgjidhim për 100 vite ose më shumë”, u shpreh Vuçiç, teksa shtroi pyetjen se “nëse nuk e zgjidhim, atëherë çfarë?”.
“Kjo është e kotë dhe e papërgjegjshme”, tha ai, derisa edhe shtoi se “kur dikush insiston në afate kohore për diçka, ata nuk e kanë implementuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe për 10 vite”.
“Atëherë për çfarë afate kohore po flasim? Nuk është kjo e shkruar sigurisht, sepse njerëzit janë mjaftueshëm të mençur të dinë se çfarë është e pamundur. Por, neve na duhet të gjejmë zgjidhje kompromisi, që të ruajmë kokat e serbëve dhe shqiptarëve, të ruajmë jetët e njerëzve, ekonominë, dhe të ecim para”, ka vazhduar Aleksandar Vuçiç.
Mes tjerash, presidenti serb tha se “nuk është problemi se kur dhe ku takohem me Albin Kurtin”, por se “çfarë do të prodhojë ai takim”.
Në lidhje me dokumentin franko-gjerman, tashmë edhe të “ridraftuar”, Vuçiç tha se “nuk mund të them se jam 100 përqind kundër saj ose pro saj”, por se “duhet ta diskutojmë e të shohim”.
“Duhet të flasim me njëri tjetrin, të shmangim veprimet e njënashme, kjo është diçka që mund ta dëmtojë procesin, diçka që nuk mund të lejohet”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pretendon se dakordimi me BE-në është që marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të konkludohet para pranverës së vitit 2023.
Këtë ai e deklaroi para disa ditëve në një intervistë për televizionin lokal të Podgoricës “Gradska Tv”, për çka kishte thënë se kjo është pajtuar më 23 nëntor kur u arrit “dakordësimi” për targat.
Josep Borrell në Samitin e Tiranës tha për gazetarë se “nuk vendosim afate artificiale” dhe se me rëndësi është “shpejtësia” e procesit të dialogut dhe jo afatet kohore.