Pa vendim të Komisionit Disiplinor, Albulena Haxhiu i suspendon licencën përmbaruesit privat

Ministria e Drejtësisë e ka suspenduar përmbaruesin privat të Telekomit, me një vendim të nënshkruar nga Albulena Haxhiu para se për të njëjtin të nxjerrë vendim Komisioni Disiplinor i MD’së.

Ilir Mulhaxha, përmbarues privat në Prishtinë, është suspenduar të martën nga Ministria e Drejtësisë, pa marrë vendim Komisioni Disiplinor.

Vendimin, që ka hyrë në fuqi menjëherë, e ka nënshkruar vetë ministrja Albulena Haxhiu.

Aty thuhet se suspendimi i Mulhaxhës do të zgjasë deri në një vendim të Komisionit Disiplinor.

“Z. Ilir Mulhaxha, përmbarues privat në Territorin e Gjykatës Themelore në Prishtinë suspendohet nga ushtrimi i funksionit të përmbaruesit privat deri në një vendim të Komisionit Disiplinor”, thotë dokumenti.

‘Sherr’ i kësaj u bë një procedurë përmbarimore me Telekomin e Kosovës, ku Mulhaxha është i përfshirë si përmbarues.

Aty arsyetohet se “Me datë 29.11.2022, Departamenti për profesione të Lira në Ministrinë e Drejtësisë ka pranuar nga Telekomi i Kosovës, në cilësinë e palës debitore propozimin për inicimin e procedurës disiplinore ndaj përmbaruesit privat z. Ilir Mulhaxha, i emëruar për Territorin e Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me lëndën përmbarimore P. Nr. 491/2019 të datës 15.07.2019”.

Tutje, në arsyetim, Ministria e Drejtësisë tregon se me 30.11.2022 i njëjti është dërguar në Komisionin Disiplinor.

“Andaj me qëllim që procedura disiplinore ndaj përmbaruesit privat z. Mulhaxha të zhvillohet e papenguar u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thotë dokumenti.