Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, i ka reaguar nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovë, Vlora Çitaku, që deklaroi se kontributi i vetëm i kryeministrit Albin Kurti për vizat, “nis dhe përfundon me gazin lotsjellës”.
Kryeziu shkroi në Facebook të martën se sipas Çitakut, Kurti kishte penguar liberalizimin e vizave, duke kundërshtuar demarkacionin me Malin e Zi, duke hedhur gaz lotsjellës në Kuvend.
“Vlora Çitaku me një fjalë paska thënë që ne deshëm t’i falnim Malit të Zi 8200 hektarë por Kurti na pengonte, rrjedhimisht pengonte edhe liberalizimin e vizave. Imagjinoni”, shkroi ajo.
Nënkryetarja e PDK-së, deklaroi se kontributi i kryeministrit Albin Kurti, për çështjen e liberalizimit të vizave, nis dhe përfundon me gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
“Kryeministri në një status të gjatë në Facebook duke bërë përpjekje me ia dhanë vetes meritat për liberalizimin e vizave (në vitin 2024), paska thënë të pavërteta të mëdha, duke justifikuar kështu edhe vonesat e BE për liberalizimin e vizave. Kryeministër, kriteret Kosova i ka përmbushur moti. Siç shpresoja ta kishit kuptuar së paku javën e kaluar kur çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën u hoq nga agjenda, vonesat për Kosovën, së paku nga viti 2018 janë të pajustifikueshme dhe të natyrës politike. E sa për kontributin tuaj në këtë proces, ai fillon dhe përfundon me gazin lotsjellës në Parlament”, shkroi ajo.
Reagimi i Çitakut ishte pasi kryeministri Kurti bëri të ditur vendimin e ambasadorëve të Bashkimit Evropian, që t’i japin Kosovës dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave.
Kurti u shpreh se vendimi i BE-së erdhi si “njohje dhe konfirmim i përkushtimit tonë për sundimit e ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrollit kufitar dhe menaxhimin e migrimit”.