Vuçiq konfirmon takimin e nesërm me Kurtin: S’jam optimist

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, e ka konfirmuar takimin me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.Vuçiq tha se takimi do të mbahet nesër në ora 8:00 në Bruksel.

Një nga temat që do të diskutohet është edhe ajo e targave. Ai tha se nuk është optimist për arritjen e një marrëveshjeje.

Presidenti i Serbisë në TV Prva, ka theksuar se “s’ka dyshim se situata është më e vështirë se në 10 vitet e fundit dhe se nuk mendojnë se bëhet fjalë vetëm për targa”.

“Atë ditë në Berlin, Kurti për kushedi cilën herë, por në atë kohë ndoshta në vendin më të rëndësishëm në Evropë, tha se nuk do të formojë Asociacionin. Kjo do të thotë se Marrëveshja e Brukselit për të vlen vetëm në pjesën që i pëlqen. Ka shpallur fazat e targave, e fundit nga të cilat ishte konfiskimi i veturës dhe mesazhi i tretë ishte për shkarkimin e Nenad Gjuriqit, komandantit për veriun. Kurti nuk ka të drejtë ta shkarkojë dhe as nuk pyetet për emërimin e tij”, shtoi ai, transmeton Klankosova.tv.

Ndryshe, sonte në mesnatë pritet të hyjë në fuqi masa e dytë e Qeverisë, ajo e shqiptimit të gjobave prej 150 eurove për veturat me targa ilegale.

Klankosova.tv ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziun, lidhur me takimin e paralajmëruar për nesër në mes të shefit të ekzekutivit kosovar dhe presidentit serb por deri më tani s’ka marrë përgjigje./Klankosova.tv/.