Deliu – Kodra: Sot isha në Kardiologji, nuk kishte as fasha

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, duke folur për shëndetësinë tha se gjendja në këtë sektor është e rëndë.

Në seancën e sotme të Kuvendit, ajo tha se sot ka vizituar Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, ku sipas saj, nuk kishte as fasha e as mjete sterile.

“Sot me shumë se kurrë do të kisha dashur që ta shoh Qeverinë Kurti këtu për ta dëgjuar zërin e deputetëve e jo të flasim vetme veti. Sot kam qenë në Kardiologji dhe është evidente që gjendja është shumë e rëndë. Nuk ka as material shpenzues”.

“Më thanë se tash e tri javë gjendja është përkeqësuar. S’ka mjete sterile, s’ka fasha. Kot flasim sot për rritje të buxhetit, por qytetarët në QKUK presin trajtim”, u shpreh Deliu-Kodra para deputetëve.

Ai tutje tha se është e shqetësuar që presidentja Vjosa Osmani nuk ua ka besuar punën mjekëve në QKUK dhe është operuar në një klinikë private, ani pse shëndeti i saj nuk ka qenë i rrezikuar.

“E kuptoj që shëndeti është parësor dhe presidenten do ta kuptoja shumë qartë nëse shëndeti i saj ka qenë i rrezikuar. Zonja presidente do të duhej të ishte shembull për të gjithë atë njerëz që trajtohen në QKUK, pasi nuk kanë mjete për të shkuar në klinika private. Zonjën presidente do të doja ta shihja si shembull që për një operim që kryhet tash e sa vite shkon aty ku shkon populli”.

“Nuk ka nevojë që 18 kirurgë të QKUK të reagojnë që janë përjashtuar nga zonja presidentja sepse ai operim ka mundur të kryhet edhe aty. Në anën tjetër, mjekët po ikin. Janë 350 mjekë që e kanë lëshuar Kosovën në dy vitet e fundit. E kryeministri nuk vjen për t’i dhënë përgjigje këtij diskutimi sot. Çka të pres nga ai. Kjo më dhëmb. Gjendja është e rëndë”.