Kurti falënderon deputetët që e kaluan projektbuxhetin në lexim të parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka komentuar kalimin në lexim të parë të projektbuxhetit për vitin 2023 sot në Kuvend.

Ai i ka falënderuar 64 deputetët që votuan pro këtij projektbuxheti.

“64 vota PËR në parim për buxhetin 3.2 miliardësh për vitin 2023. Falënderoj secilin deputet dhe secilën deputete që përmes votës së tij dhe të saj i dha sot mbështetje në lexim të parë buxhetit për vitin e ardhshëm që reflekton prioritetet e programit qeverisës e nga i cili përfiton qytetari dhe Republika”, shkroi Kurti në Facebook.

Tutje, për buxhetin prej 3.2 miliardë eurosh, Kryeministri tha se “do të jetë më shumë për të gjithë”.

Pas votimit në lexim të parë, projektbuxheti për vitin 2023 do të kalojë në Komision, ndërsa me amandamentet eventuale do të hidhet në votim edhe në lexim të dytë.

Postimi i plotë:

64 vota PËR në parim për buxhetin 3.2 miliardësh për vitin 2023. Falënderoj secilin deputet dhe secilën deputete që përmes votës së tij dhe të saj i dha sot mbështetje në lexim të parë buxhetit për vitin e ardhshëm që reflekton prioritetet e programit qeverisës e nga i cili përfiton qytetari dhe Republika.

Më shumë për shëndetësinë me më shumë profesionistë shëndetësorë dhe më shumë buxhet për barna esenciale. Më shumë për bujqësinë. Më shumë për kulturën, rininë dhe sportin dhe më shumë për arsimin. Më shumë për zhvillimin e hershëm të fëmijëve përmes më shumë çerdheve dhe më shumë edukatorë e staf për çerdhe. Më shumë për fëmijët nëpërmjet shtesave për ta dhe më shumë asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuar. Më shumë për mbrojtjen dhe sigurinë sepse më shumë për ushtrinë dhe policinë. Më shumë inspektorë. Më shumë rezerva shtetërore. Më shumë për ndërmarrjet publike. Më shumë terminale doganore shtetërore. Më shumë për komunat. Buxheti për vitin tjetër, do të jetë më shumë për të gjithë.