Serbia sërish nuk voton rezolutë të OKB-së kundër Rusisë, kësaj here raportohet se kishte arsyetimin qesharak: “Albin Kurti”

Së fundi, Serbia ka abstenuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në lidhje me votimin që i kërkonte Rusisë të paguante dëmet e luftës ndaj Ukrainës. Siç raporton Nova, një gjë të tillë e ka bërë me një argument të thjeshtë por qesharak: “Albin Kurti”.

Serbia është nën trysni të madhe ndërkombëtare për t’i vënë sanksione Rusisë.

Por, sipas burimeve diplomatike të gazetës serbe, vendimi paraqiste “përgjigje për problemet tona sa i përket kërkesës së Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, që kërkonte prej Beogradit t’i paguante dëmshpërblimet e luftës Prishtinës”.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së së fundi miratoi një rezolutë për reparacionet e Rusisë ndaj Ukrainës. Pozicioni i Serbisë përsëri ishte kontrovers.

94 shtete kishin votuar PËR ndërsa 73 tjera kishin abstenuar, mes të cilave edhe Serbia.

“Serbia nuk mund të votonte për këtë propozim sepse në këtë formë do të krijonte një precedent të madh, duke sjellë në mendje që Kurti ngulmon mbi çështjen e reparacioneve të luftës,” – raporton Nova t’i kenë thënë burimet diplomatike.

Burimi në fjalë konsideron që votimi i ri i Serbisë krijon presion shtesë ndaj këtij shteti.

Duhet të kujtojmë se kryeministri Kurti kishte kërkuar shumë herë që Serbia të paguante reparacionet e luftës për Kosovën.