A do të kthehet Srpska më 18 dhjetor për t’i marrë përsëri komunat në Veri?

Kurti, me keqardhje, tha se do të duhet të mbahen zgjedhjet në veri dhe ato u shpallën. Lista Srpska si forca kryesore që i fiton zgjedhjet atje, dje njoftoi se do t’i bojkotojë. Por, shumëçka mund të ndodhë deri më 18 dhjetor.

Lista Serbe, që ka udhëhequr turmën në braktisje të institucioneve, njoftoi se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarë të katër komunave të veriut të Kosovës.

Nuk ka asnjë marrëveshje dhe nuk ka ndryshuar asgjë prej ditës kur serbët e veriut të shtyrë nga Lista Serbe, e përkrahur nga Beogradi, lanë vendet e tyre të punës në institucionet publike.

Por, komunat, sipas deklaratave të krerëve të shtetit, të cilët citojnë ligjin, nuk mund të lihen pa kryetarë.

Kryeministri Albin Kurti, u bënte thirrje shërbyesve civilë serbë të ktheheshin në detyrat që i lanë, ndërsa njoftoi për së pari herë se kryetarët e dorëhequr do të zëvendësoheshin, me zgjedhje të reja.

“Por më vjen keq që tash do të na duhet të mbahen zgjedhje në komunat ku po dorëhiqen kryetarët e komunitetit serb”, tha Kurti

Më pas, Presidentja Vjosa Osmani u vu në detyrë. Ajo caktoi 18 dhjetorin ditë të zgjedhjeve dhe iu drejtua qytetarëve serbë me një sqarim. Tha se mbajtja e zgjedhjeve nuk është çështje dëshire, por s’ka si të ndodhë ndryshe.

“Dua t’i sigurojë të gjithë qytetarët serbë të Kosovës se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është detyrim kushtetues, që ka lindur nga akti i dorëheqjes së kryetarëve të komunave. Assesi nuk është çështje dëshire. Assesi nuk është vendim që mund të ndryshohet, sepse nuk ka rrugë tjetër. Janë shqyrtuar të gjitha mundësitë”, tha Presidentja të hënën.

Lista Serbe, rrjedhimisht Beogradi, nxori si arsyetim të bojkotit fillimin e zbatimit të vendimit të Qeverisë Kurti për t’i zëvendësuar me RKS, targat që Serbia i lëshon ilegalisht për rajone të Kosovës. Ndonëse Qeveria e Kosovës ka hapur temën e targave në Bruksel, për të cilën thoshte se e ka mbyllur kur amerikanët i kërkonin ta shtynte vendimin, nuk ka ndonjë marrëveshje deri tash.

Në këtë situatë, a do të mund të mbaheshin zgjedhjet?

Analisti serb, Dushan Janjiq, i ka thënë Gazetës Express javën e kaluar se zgjedhje do të mund të kishte nëse ndërmjetësojnë ndërkombëtarët dhe pala serbe bindet të jetë pjesë e zgjedhjeve.

“Në realitet nuk jam i sigurt se çfarë mund të ndodhë. Nëse shtetet e QUINT-it do të bënin presion mbi Vuciqin, Kurtin dhe akterët e tjerë, ndoshta do të mund të mbaheshin zgjedhjet”, ka thënë Janjiq.

Publicisti kosovar, Shkelzen Maliqi, thotë se Kurti dhe Osmani nuk mund të presin nga misionet ndërkombëtare t’i bindin serbët të marrin pjesë në zgjedhje, pasi nuk e dëgjuan perëndimin për t’a shtyrë afatin e zbatimit të vendimit për targat.

“Nëse Kurti dhe Osmani besojnë se KFOR-i dhe Eulex-i do t’i bindin serbët me marrë pjesë në zgjedhje, e kanë gabim, sepse injoruan kërkesat e Perëndimit që çështja të zgjidhet me narrëveshje të madhe dhe jo simbolikën e imponimit të targave RKS. Gabim i pafalshëm në hapa, kemi pushtetarë miopë dhe autistë që nuk po e kuptojnë se sovranitetin që po e mbrojnë është si prerja e degës në të cilën janë ulur”, ka thënë Maliqi për Gazetën Express.

Nëse nuk ka ndonjë marrëveshje për zgjedhjet, Janjiq beson se ato do të bojkotohen.

“Bashkëpunimi me grupin e QUINT-it dhe me ndërmjetësimin e QUINT-it, të flasin me serbët lokale, me Vuciqin, se si do të ktheheshin në institucione. Nëse ato organizohen nga Prishtina, sigurisht se do të bojkotohen”.

Maliqi nuk pret që serbët e veriut do të lejohen të marrin pjesë në zgjedhjet e shpallura nga Osmani. Ai thotë se pasojat është dashur të mendohen nga Qeveria, kur ajo vendosi me këmbëngulje që ta ekzekutojë vendimin për konvertimin e targave ilegale.

“Nëse shumica e serbëve në këto komuna s’do dhe nuk do të lejohet të dalë në zgjedhje, kjo situatë është dashtë të parashihet para ndërmarrjes së masave të reciprocitetit dhe targave”, ka thënë Maliqi.

“Të gjithë e dimë se serbët kanë marrë pjesë në institucionet e Kosovës thuajse vetën formalisht, por megjithatë janë angazhuar për të drejtat shtesë brenda sistemit, e tani janë jashtë dhe Qeveria Kurti nuk ka instrumente për t’i detyruar ata të respektojnë rregullat kushtetuese dhe zgjedhjet që i shpall presidentja”.

Kur flet për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, Janjiq thotë se serbët e Kosovës do të ishte më mirë nëse s’do të udhëhiqeshin nga Lista Serbe.

“Lista Serbe e ka humbur kredibilitetin. Është e shumë nevojshme që grupet tjera politike të serbëve të marrin pjesë në zgjedhje, Do të ishte shumë e drejtë që serbët lokalë të kishin një lidership krejt tjetër, besoj një më të mirë, se që e kanë.

Ligji për zgjedhjet lokale thotë se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës zgjedhjet e parakohshme shpallen jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërbërjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas shpërbërjes. Në këtë ligj është thirrur edhe Presidentja Osmani, kur e caktoi 18 dhjetorin ditë të zgjedhjeve, e cila ishte në limitin e afatit.

Zbatimi i vendimit për ndërrimin e targave ilegale pritet që pas më pak se një jave të hyjë në fazë të re. Më 21 nëntor, sipas vendimit të Qeverisë, pritet të gjobiten qytetarët që bartin targa ilegale të lëshuara nga Serbia, për rajone të Kosovës.

Ndonëse njëherë çështja e targave ishte e mbyllur për Qeverinë e Kosovës, pas bojkotit të institucioneve nga banorët veriorë serbë dhe përfaqësuesit e tyre, tani zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka udhëtuar në Bruksel për këtë temë.