Si rezultat i kundërshtimit të projekt-kodit civil shkaku i martesave të gjinive të njejta, një grup deputetësh dhe zyrtarë të Vetëvendosjes nëpër degë të ndryshme të partisë janë penalizuar. Disa nuk janë lejuar të kandidojnë në zgjedhjet e brendshme partiake, ndërkohë disa janë shkarkuar nga pozitat që kanë mbajtur, raporton Gazeta Express.
I tillë është rasti me deputetin e Vetëvendosjes, Visar Korenica, i cili ka konfirmuar se udhëheqësia e partisë e kanë larguar nga pozita e koordinatorit të Degës në Rahovec shkaku i qëndrimit për projekt-kodin civil, konkretisht martesat e gjinisë së njejtë.
Korenica sot ka publikuar një video të një deputeti kroat të Parlamentit Evropian i cili ka kërkuar falje Kosovës që i ka kërkuar shtyrjen përpara të një ligji të tillë duke thënë se “martesa e gjinisë së njëjtë nuk është standard evropian” dhe se “nuk është parakusht kjo gjë për t’u integruar në BE”.
Në mbishkrimin e videos, Korenica ka shkruar “E vërteta mbetet e vërtetë pavarësisht shtrembërimeve të qëllimshme”.
“Kodi Civil (martesa e gjinisë së njëjtë), Deputeti i Parlamentit Evropian kërkon falje publike në emër të gjithë atyre që bën presion që ky projektligj të mbështetet. As nuk është parakusht e as kriter për rrugën drejtë integrimit euro-atlantik”, ka shkruar ai në Facebook.
Qëndrimi zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë pro këtij kodi civil.
Por një grup i deputetëve të pushtetit votuan kundër, duke e pamundësuar kalimin tutje të Kodit Civil.
Pas shkarkimit të Korenicës nga pozita e koordinatorit në Rahovec disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë dalë në mbrojtje atij, duke vënë në pah divergjencat e thella ideologjike të deputetëve të grupit më të madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës.