Haradinaj: Kurti i ka vënë në siklet marinsat amerikanë

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka vazhduar me kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Haradinaj ka thënë se Kurti ka vënë në siklet marinsat amerikanë që shërbejnë në veri të Kosovës.

Ai thotë se kryeministri ka prerë në besë SHBA-në në lidhje me vendimin për targat e makinave.

“Kjo që po ndodh me targat po të kishte ndodhur në koordinim me Amerikën do të kishim folur për atdhedashuri. Por veprimi i pambuluar nga Kurti, po e qon vendin në një drejtim tjetër duke rrezikuar një pjesë të vendit. Dyshimet janë tani, a mos Kurti ka skenar për të ndarë Kosovën. Pra duket sikurse një skenarë i qëllimshëm për të ndarë Kosovën”, tha ai në RTV Dukagjini.
Haradinaj thotë se Kurti ka refuzuar edhe gazin amerikanë dhe investimet tjera që lidhen me shfrytëzimin e qymyrit.

Ish-kryeministri thotë se integrimi i serbëve në veri ka qenë investim i madh i amerikanëve.

“Ne nuk e kemi fuqinë e ligjit në veri. Është dashur të zbatohet ajo që njihet si “soft power”. Veprimet e pakoordinuara me SHBA-në u ka dhënë serbëve një justifikim për t’u larguar nga institucionet”, deklaroi më tej Haradinaj.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, teksa ka treguar arsyen e largimit të tij nga takimi me opozitarët dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky i fundit po i shërben agjendës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Haradinaj ka thënë se veprimet e qeverisë janë mbuluar me popullizëm, por në substancë veprimet e Kurtit po i ndihmojnë Serbisë.

“Po i jep shkas, po i jep arsye, po e bën për të thënë një këshilltar i lartë i departamentit të shtetit, se është kënaqësi që fola me presidentin serb dhe ishte bisedë e mirë, dhe ndamë shqetësimin për veprimin e Kosovës, ky është një shërbim që ia ka bërë vetëm Kurti Serbisë, ende askush nuk ka mundur t’ia bëjë deri sot. Duke pasur parasysh këtë përmbajtje unë nuk pranoj demagogji në takim, dua të më respektojë si bashkëbisedues, i kuptoj këta terma, jam i interesuar në vazhdimësi për sigurinë e vendit. Aq sa e kuptoj situatën e sigurisë, Kurti po i shërben agjendës së Vuçiqit”, ka thënë Haradinaj.

“Ishin biseda jo në substancë, jo rrethanore. Unë e pyeta ku është fitorja e Kosovës që ta kuptojmë, nëse nuk ka fitore pse nuk kthehesh që ta pranosh kërkesën e SHBA-së për shtyrje. Drejtimi që ka marrë Kurti, Qeveria e Kosovës është në shërbim të agjendave të Putinit”, shtoi ai.

Sipas Haradinajt, çdo veprim që po e merr kreu i qeverisë është në llogari të presidentit serb.

Megjithatë, Haradinaj thotë se ka ende shpresa që kjo “rrugë e gabuar” e Kurtit të ndërpritet në kohë.

“Ky po i ndihmon Vucicit por shpresoj që kjo rruga e gabuar e tij do të ndërpritet në kohë dhe njerëzit e tjerë në VV do të kenë guximin t’i thonë ndalu”, ka thënë lideri i AAK-së.