Refuzimi i vizave nga ShBA, Olluri: Nuk e shtijke tinëz në aeroplan privat Pacolli ndonjë të Qeverisë

Gazetari dhe opinionisti, Parim Olluri përmes një postimi në Facebook ka ironizuar me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) pasi presidenti i AKR’së, Behgjet Pacolli është ftuar në dasmën e vajzës së Donald Trump, Tiffany Trump, transmeton Gazeta Metro.

Ai ka thënë se ish-zëvendëskryeministri i Kosovës është dashur në mënyrë ilegale të marrë me vete në ShBA edhe ndonjë pushtetar të Qeverisë Kurti.

”Behgjet Pacolli ne dasme te vajzes se Trumpit. Nuk e shtijke tinez ne aeroplan privat ndonje pushtetar te Qeverise Kurti. Kane qejf me pa Ameriken edhe keta. Gjynah,” ka shkruar ai.

Kujtojmë se para pak ditësh ishte raportuar në media që i është refuzuar viza për në ShBA ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier për Gazeta Metro kishte thënë se nuk mund të flas për raste të veçanta apo individ, por ka theksuar, se nuk është koha që tani të bëhen vizita zyrtare nga ministrat kur ka një krizë në Kosovë.

“Unë jam i habitur rreth kësaj, janë dy çështje këtu, unë nuk shoh asnjë rrethanë që do të vente në vështirësi qeverinë e SHBA’së që t’i lëshoj një vize një ministreje të qeverisë së Kosovës. Nuk mund të flas për raste apo individ të posaçme për lëshimin e vizave, por unë nuk jam në dijeni për rrethanat e caktuar kur një ministre nuk do ishte e kualifikuar për të pranuar një vizë për vizitë zyrtare”, ka thënë Hovenier për Gazetën Metro.