Mjeku Ilir Alimehmeti, kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, thotë se do të jetë sot në protestë sepse ka vendosur të jetojë në Shqipëri, siç shkruan ai, “për një shqiptar më shumë dhe një dhimbje më pak”.
“Hemorragjinë e doktorëve e prek çdo ditë në të përditshmen time e te çdo doktor, infermier, informaticien, inxhinier dhe shqiptar që ikën duke lënë pas një karrierë prej disa vitesh në Shqipëri, shoh një grua me bombul gazi në dorë që me gjysmë zëri thotë; Kanë ikur të gjithë bir”, shkruan mjeku.
Nga Ilir Alimehmeti
744.000 shqiptarë kanë lënë Shqipërinë për të ndërtuar jetën në një tokë të huaj. Një shifër tragjike për një vend kaq të vogël si Shqipëria. Kjo tokë e bekuar me diell dhe me ujë i ka të gjitha mundësitë t’i mbajë bijtë e saj këtu.
Politikat e mbrapshta qeverisëse dhe shtypja e vazhdueshme i kanë detyruar mijëra shqiptarë të marrin valixhet dhe të derdhen rrugëve të Evropës. Një mik shkolle disa ditë më parë më rrëfeu këtë histori;
“Ishte mëngjes dhe po shkoja me nxitim në punë. Nga hyrja e një pallati të vjetër del një grua e moshuar me një bombul të vogël gazi në duar. Më thërret dhe më thotë; A ia ndërron pak nënës këtë bombulën se nuk kam fuqi? Doja të bëja një kafe turke, por nuk kishte gaz.
Ndal hapat e teksa ndërroj bombulën e gazit, gruaja vazhdon të flasë; “Kanë ikur të gjithë bir. Djemtë e mi janë larg. Në të gjithë shkallën jemi veçse pleq. Ia ndërroj dhe ia jap. Më falenderon dhe më jep uratat e saj.
Në dukje duket një histori e zakonshme, por në të vërtetë është e zakonshmja tragjike e një pjese të mirë të shqiptarëve qē po dëbohen nga vendi i tyre.
Hemorragjinë e doktorëve e prek çdo ditë në të përditshmen time e te çdo doktor, infermier, informaticien, inxhinier dhe shqiptar që ikën duke lënë pas një karrierë prej disa vitesh në Shqipëri, shoh një grua me bombul gazi në dorë që me gjysmë zëri thotë; Kanë ikur të gjithë bir.
Në cilësinë e një njeriu që ka vendosur të jetojë në këtë vend duke mirëkuptuar zgjedhjen e vështirë të atyre që larguan, nesër do të jem në protestë. Do të jem në protestë për një shqiptar më shumë dhe një dhimbje më pak.