Sveçla: Nenad Gjuriq nuk mund të kthehet më në Policinë e Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se ish-komandanti i Policisë në veri, Nenad Gjuriq nuk do të ketë mundësinë të kthehet më në Policinë e Kosovës.

Sveçla në emisionin ‘dPt te Fidani’ në T7 tha se disa prej atyre policëve që kanë dhënë dorëheqje, e që në mesin e tyre është edhe Nenad Gjuriq nuk kanë mundësi të kthehen në Policinë e Kosovës, pasi thotë se kanë qenë edhe në hetim.

“Nuk ka më gjasë të kthehen në Policinë e Kosovës, ata edhe ashtu kanë qenë në hetim. Nenad Gjuriq më nuk mundet të kthehet në Policinë e Kosovës”.
Ndërsa, sa i përket dekorimit që ia bëri presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, Nenad Gjuriqit, Sveçla tha se ajo ka qenë tentativë e Vuçiqit që t’i trimërojë të tjerët.

“Ai është veq një shpërftyrim i asaj që cfarë raporti kanë pas, Është tentativ e Vuciqit që t’i trimërojë të tjerët, kinse nuk i lë në baltë. Ka një katefori kriminelësh që kanë vepru në atë zonë, janë pasuru dhe pastaj kanë ikë. Unë jam i bindur që kjo situatë kaotike nuk mund të vazhdojë më”.

Mes tjerash, Sveçla tha se do të hapet konkurs për plotësimin e numrit të policëve në veri në momentin që kjo çështje do të rregullohet, në bazë të rregullores.

“Do të hapim konkurs në momentin e parë që rregullohet brenda rregullores”.