Kurti me video tregon se nesër niset për Paris – mund ta takojë Vuçiqin atje

Nëpërmjet një paraqitje audio vizuale në rrjete sociale, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar që nesër në mëngjes do të fluturojnë drejt Parisit për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron, ku ka paralajmëruar se mund të ketë një takim edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurti ka thënë se takimi mund të jetë trilateral.

“Nesër, pra të enjten, herët në mëngjes do të nisem për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, bashkë me gruan time Ritën, e me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron. Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka njoftuar gjithashtu se me vete do të ketë ekipin e tij gjashtëanëtarësh nga kryeministria.

“Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”, ka deklaruar tutje kryeministri.

Ai ka thënë se në tavolinën e tij janë dy propozime, një i prezantuar me 18 gusht në Bruksel dhe tjetri, i njohur si propozimi franko-gjerman, i cili ka mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së.

“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë. Ju falemnderit për mbështetjen e mirupafshim. Ju dëshiroj natë të mirë e ditë të mbara”, ka thënë Kurti në videon e shkurtër. /GazetaExpress