Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vendimit të bojkotimit të institucioneve të Kosovës nga serbët, duke thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët e evropianët.
Ai ka deklaruar se Vuçiq shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd, dhe se Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit.
Po ashtu, ai ka thënë se duket që ish zëdhënësi i partisë së Milosheviqit, tash ministër i jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish ministri i informatave të Milosheviqit, tash presidenti i Serbisë.
“Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet”, ka deklaruar Kurti.
Përfaqësues të Listës Serbe sipas Kurtit para një jave kanë thënë që do të organizojnë rezistencë të ashpër kundër gjobave.
“Mirëpo, nuk e pritën 21 nëntorin: Beogradi nisi kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës. Prandaj, diçka tjetër është në pyetje”, ka deklaruar ai.
Gjithashtu, ai ka ftuar qytetarët serbë në Kosovë, që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë.
Ndërkaq, ai ka bërë të ditur se deri më sot, numri i qortimeve apo vërejtjeve ndaj ngasësve të veturave që bartin tabela ilegale në territorin e Kosovës të dhëna është gjithsej 843.
“Nuk ka pasur asnjë incident dhe nuk është regjistruar asnjë ankesë”, ka deklaruar Kurti.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, të shtunën kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.
Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, vendimin për bojkotimin e institucioneve të Kosovës nga serbët, e ka ngjasuar me situatën në Donbas të Ukrainës në vitin 2014.
“Ky akt i ngjan nxitjes së Rusisë në Donbas në vitin 2014”, ka shkruar ai në rrjetin social Twitter.
Po ashtu, ai ka thënë se Serbia është duke i detyruar serbët e Kosovës që ta braktisin punën e tyrë në institucionet e Kosovës.
Bojkotimi i institucioneve të Kosovës nga serbët është kushtëzuar me Asociacionin
I pari i Listës Serbe Goran Rakiq, ka thënë se ekziston vetëm një mundësi që ata t’i kthehen institucioneve të republikës ës Kosovës, dhe ajo është kur Kosova do ta miratojë Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.
Sipas tij, “serbët e Kosovës nuk e kërcënojmë askënd, por po përpiqemi ta ruajmë qetësinë dhe stabilitetin si dhe të drejtën tone për qëndrimin tonë në mënyrë të dinjitetshme”.
Më tej, ai ka thënë se në katër komunat veriore, do t’i ndalojnë edhe përfaqësuesit e serbëve në Polici dhe organet gjyqësore si dhe administratën në katër komunat veriore.
Rakiq ka përfunduar duke thënë se janë duke kërkuar nga Republika e Kosovës që sipas tij ajo “menjëherë të fillojë të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të gjitha marrëveshjet që janë arritur deri tash në dialog mes Prishtinës dhe Beogradit”.