Bujar Bukoshi kritikon Kurtin: Po sillet sikur e ka në dorë fatin e ..

Bujar Bukoshi, ish kryeministër i Qeverisë së Kosovës në mërgim e më pas pjesëmarrës aktiv në jetën politike duke qenë ministër dhe zëvendëskryeministër në Kosovën e paslu. ftës, E prej vitesh i tërhequr nga skena politike ka folur për situatën aktuale politike në Kosovë.

I pyetur për mundësinë e arritjes së një marrëveshje finale me Serbinë, Bukoshi ka thënë se nuk do të dëshironte të ishte në pozitën e kryeministrit aktual, Albin Kurti.

Bukoshi në një intervistë dhënë për Gazetën Tema ka thënë se Kurti po sillet sikur ta kishte në dorë fatin e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian.

“Nuk di të them, nëse do të dëshiroja të isha në pozitat e tij, pasi kam kohë që nuk kam më asnjë emocion nga postet politike, por di të them që kur e kemi nisur këtë punë, kemi qenë në anën tjetër të barrikadës. Ishim ne që i luteshim bashkësisë ndërkombëtare të na hapte dyert, të na priste, të na dëgjonte që t’i shpjegonim se çka ishte puna e Kosovës dhe çfarë ishte projekti dhe vizioni ynë.

Në fund të viteve 80, Kosova ishte një bezdi për diplomacinë ndërkombëtare. Ajo bile përtonte edhe të na dëgjonte. Në vitet e 90 kur ne u përpoqëm t’i imponohemi me vetorganizimin tonë politik, kishim përballë një mur indiference, që të trishtonte dhe që u thye fal rezistencës sonë dhe natyrisht për shkak të krimeve të përgjakshme të Serbisë në Ballkan. Edhe sot më ndrydhë ai trishtim për pafuqinë tonë në atë kohë por më bën edhe krenar që i përballuam ato sfida.

Tani është lehtë të sillesh sikur e kemi ne në dorë fatin e SHBA apo Bashkimit Evropian në Ballkan. Por është e rëndë dhe gabim që nuk falet t’ia bësh këtë një vendi, i cili është gjallë fal Perëndimit”, ka thënë Bukoshi.

Ai thotë se Kurti duhet ta respektojë të shkuarën e Kosovës.

“Në këtë aspekt, duke thënë këtë, mendoj se Kryeministri i Kosovës, duhet të respektojë të shkuarën e Kosovës historinë e shtetformimit të saj dhe jo të sillet sikur Kosova është shtet i themeluar as dy vjet të plota më parë kur ka ardhur ai në pushtet. Historia nuk fillon nga e para sa herë dikush bëhet kryeministër në këtë vend. E di se fenomene të ngjashme ka pasur edhe përpara, por të pretendosh sot se kjo ne qenka qeveria më e mirë në Ballkan, është të shohësh ëndrra në diell, ose të bësh Mynhauzenin”, ka deklaruar Bukoshi.

Kurse për propozimin franko-gjerman, Bukoshi thotë se nuk është në dijeni, por se e merr me mend se është një nga ato përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar klimë besimi tek firmosja e një marrëveshjeje përfundimtare.

“Jo nuk jam në dijeni, por arrij ta marr me mend se është një nga ato përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar klimë besimi tek firmosja e një marrëveshjeje përfundimtare. Ajo që duhet të bëjë qeveria e Kosovës është të zhvishet nga demagogjia populiste dhe të jetë transparente me publikun duke thënë se çfarë ka në favor dhe çfarë nuk ka në favor Kosova në këtë moment, pra siç thuhet “ku është qari dhe ku zarari”… Ata që tani për tani janë në krye të punëve nuk duhet të sillen si njerëz që kanë lindur vetëm të fitojnë. Duhet të sillen si njerëz që po lu. ftojnë dhe kur lu. fton edhe mund të pësosh diçka. Mund ta humbësh ndonjë betejë por s’bën ta humbësh lu. ftën”.

“Shikoni Serbinë nga ana tjetër. Ka sjellje krejt të kundërt. Ulërin dhe klithë sikur ta rrahësh qenin, në stilin “ooo, mbaruam”, se gjoja po e shkatërrojnë me marrëveshjen e ofruar, a në fakt nuk i ka aq keq punët nga ajo marrëveshje. Por në finale e menaxhon reagimin dhe i adaptohet marrëveshjes.
Një fshatar i moshuar i imi, pa asnjë fakultet, as master të kryer, më thoshte: biri im mos i beso shkijeve se shkau edhe kur të fut përfundi dhe të prish dajak, bërtet dhe thërret “ më ndihmoni se më mbyti shiptari”. Politikanët tanë dhe pushtetarët sillen sikur kanë lindur të fitojnë jo vetëm mbi Serbinë por dhe mbi Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Se e zgjata pak përgjigjen time”, ka deklaruar Bukoshi.