“Zbulimi” i ndërtesës 2 milionëshe të Rakiqit, Anti-Korrupsioni thotë se po merret me këtë punë

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) do ta trajtojë informatën se ministri për Komunitete dhe Kthim, kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq, po e ndërton një objekt mbi 2 milionë euro në veri të vendit.

Aleksandar Arsenijeviq dhe Stefan Veljkoviq, aktivistë serbë nga iniciativa qytetare “Mbijetesa serbe” para një jave vizituan një parcelë prej 9,5 ari ku po ndërtohej një ndërtesë, për të cilën thanë se është e Rakiqit.

“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit konfirmon se tashmë e ka pranuar informatën e cila do të trajtohet sipas afateve ligjore të përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në një përgjigje të APK-së për Gazetën Express.

Objekti në ndërtim e sipër, aktualisht shtatëkatësh, sipas dy aktivistëve serbë mund të vlejë mbi 2 milionë euro.

“Pyetjen ia kemi bërë edhe zotit Buleshkaj, drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit. Të gjithëve ua bëjmë pyetjen: kush e mbron ministrin Rakiq dhe nga kanë ardhur këto para për ndërtimin e objekteve të tilla? Nga paga apo diçka tjetër, le ta hetojnë organet kompetente”, ka thënë Arsenijeviq.