BBC: Serbia ka vënë ushtrinë në gjendje gatishmërie

Një grindje mbi targat e automjeteve duket një arsye e pamundur për vendosjen e trupave ushtarake në gatishmëri dhe arsye për t’u përplasur me partnerët ndërkombëtarë. Por Serbia dhe Kosova po e bëjnë pikërisht këtë, ka shkruar BBC këtë të martë.

Këmbëngulja e Kosovës që banorët etnikë serbë duhet t’i dorëzojnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia, po i tensionon marrëdhëniet me mbështetësit e saj kryesorë ndërkombëtarë, BE-në dhe Shtetet e Bashkuara.

Trupat paqeruajtëse të KFOR-it po shtojnë patrullimet në rast të ndonjë incidenti. Dhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviq, ka thënë se trupat e saj po qëndrojnë në gatishmëri “për të mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, përfshirë serbët në Kosovë”.

Menjëherë pas mesnatës së të martës, policia e Kosovës filloi të jepte vërejtjet e para me shkrim, pasi afati për ndërrimin e targave kishte skaduar. E para ishte një grua e ardhur nga Serbia përmes pikës së kontrollit në Jarinje, në veri të Kosovës.