Vetëm për 8 muaj, tregtia në mes Serbisë dhe SHBA’së arrinë shifra marramendëse

Një delegacion ekonomik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është takuar sot me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Siç ka njoftuar zyra e Vuçiqit, në takim morën pjesë përfaqësues të disa prej korporatave më të mëdha botërore amerikane.

Vuçiq foli për një partneritet strategjik biznesi me SHBA-në. Kjo tha se po e bën Serbinë “një ekonomi të qëndrueshme dhe partner të dëshirueshëm biznesi”.

Delegacionin amerikan e kryesoi David De Falco, Ndihmës Sekretar në Departamentin e Tregtisë së SHBA-së për Europën dhe Euroazinë.

“Shumë kompani amerikane që operojnë me sukses në Serbi për një kohë të gjatë dhe punësojnë 30,000 njerëz tanë janë një tregues i jashtëzakonshëm i stabilitetit të ekonomisë dhe mjedisit tonë të biznesit, të cilin ne kemi arritur ta krijojmë me një qasje serioze dhe sistematike në të gjitha nivelet”, citohet të ketë thënë Vuçiq, duke shtuar se vetëm në 8 muajt e parë të këtij viti, tregtia totale ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së arriti në 854.6 milionë dollarë, që tha se paraqet një rritje prej 45.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Vuçiq përmendi korporatat si CISCO, DELL, IBM, ORACLE, si dhe “kompani të tjera me reputacion global”, duke folur për sukses në sektorin e ekonomisë.

Sipas komunikatës së lëshuar pas takimit, përfaqësuesit e kompanive amerikane dhe Vuçiq u pajtuan që sa më shpejt të nis konkretizimi i bashkëpunimit “në shumë fusha” dhe të “intensifikohen takimet ndërmjet biznesmenëve të Serbisë dhe SHBA-së”.