Analisti i çështjeve politike, Bleron Baraliu, përmes një postimi në facebook ka shkruar në lidhje me deklaratën e fundit që kryetari i NISME-së, Fatmir Limaj bëri.
“Janë njerëz që flasin e mashtrojnë… Kosova qeveriset nga një grup njerëzish të papërgjegjshëm, pa vizion. Sot kemi qeveri pa plan e pa program. Qeveria e ka humbur komunikim me qytetarët e partnerët e vet. Unë bëj thirrje për një front të përbashkët politik. Na duhet ta shërojmë këtë helm që e ka ngritur kjo qeveri te qytetarët”, ka thënë Limaj.
E Baraliu u shpreh se kjo deklaratë e Limajt vjen në një moment shumë të duhur pasi momentalisht Qeveria Kurti është duke u merrur për zgjidhje për diskursin shovenist serb pro-rus.
Mirëpo analisti thotë që kjo kastë politike që ka dëmtuar vendin për 20 vjet nuk meriton asgjë tjetër përveç pensionimit të tyre.
“Miq, liria dhe progresi i vendit tonë, i themelluar mu mbi supet e luftëtarëve heroikë që më vonë kanë supozuar pushtetin dhe rrënuar vlerat mbi të cilat është bazuar vet heroizmi i tyre, nuk plotësohen pa pensionuar mu këta ‘heronjë të (para)luftës’. Dhe kësaj valle vështirë t’i gjenim protagonist prijës më të përshtatshëm se vet Fatmir Limaj”, u shpreh tutje Baraliu.
Postimi i plotë
Fatmir Limaj sot paska kërkuar ‘front të përbashkët për të hequr qafesh Albinin si anti-shtetëror e anti-progres, si ‘helm’ për shtetin’ (parafrazimi është i imi)! Mu në ditën kur Albini përballet me presion të pashoq nga brenda e jashtë që t’i nënshtrohet trysnisë e diplomacisë ‘pragmatike’ që kërkon zgjidhje për diskursin shovenist serb pro-rus në kurriz zë bastardizimit të sovranitetit të Kosovës!
Qeveria Kurti, si çdo herë secila kastë politikanësh në pushtet, doemos meriton vëmendje të theksuar, opozitë të denjë, dhe kritika e vërejtje të koncentruara — megjithëse, do të shtoja, konkrete dhe konstruktive — nga të gjitha burimet dhe kanalet e shoqërisë. Dhe qeveria Kurti vazhdon të lejë mjaftë hapësirë për vërejtje e kritika…
Por, nëse flasim për progres të dëshiruar dhe tejkalim të politikave e politikanëve destruktiv që për 2-3 dekada kanë dëmtuar rëndë aspiratat dhe ritmin e zhvillimit dhe këndelljes së kombit e shtetit/shteteve tona shqiptare, atëherë nuk ka rekomandim më të vlefshëm se sa pensionimi i vet kastës së politikanëve makabër të tranzicionit – nga Tirana, në Shkup e Ulqin, e deri në Prishtinë.
Kjo pra, miq të dashur, është kasta politike që në emër të etablimit të demokracisë dhe rendit shoqëror progresiv ka krijuar hiq më pak se një rend të sundimit(me theks) të shoqërisë shqiptare dhe denegrimit brutal të vlerave identitare e tradicionale që më parë e kanë ruajtur energjinë pozitive mbijetuese dhe shpirtin solidar, vetëmohues, dhe përparimtar të kombit tonë nëpër sfida historike rrallë të papërballueshme nga popuj të tjerë. Kjo është kasta që ka etabluar jo ‘demokracinë’ e proklamuar por një sistem ‘Casa Nostra’ të përdhunimit vullgar brenda shoqërisë e rendit tonë politik për mbi 30 vjet në Tiranë e mbi 20 vjet në Kosovë.
Ky, pra, është shkatërrimi 20 vjeçar i Kosovës në thelb të thelbit, jo asfallte, depo doganash, 10%sha, a tregje të zeza e mallëra helmuese nga sërbia e narkomanë lokalë e rajonalë — se këto kalojnë e tejkalohen. Degradimi dhe zhveshja nga identiteti njerëzor e progresivist sot e shtyn rininë tonë të kërkojë mëshirë rrugëve të botës dhe zbeh krenarinë e përkatësisë sonë, thyen vullnetin për vetëmohim e patriotizëm funksional në ballë të sfidave të reja e të rrezikshme që parashtrojnë zhvillimet gjeopolitike në Evropë sot. Kasta e politikanëve imbecilë që spara i kanë lexuar ndonjëherë propozimet trysnuese nga Brukseli e Parisi (sepse edhe mezi flasin anglisht), e sa e sa herë e kanë shtrirë qafën para ambasadorëve e diplomatëve ‘pragmatikë’; kasta, që, në emër të heroizmit luftarak (shembullor të tyre), e kanë terrorizuar nga dita e parë e pasluftës, me ‘thirrje’ të tipit ‘UÇK – mos e prek!’, një diskurs të tërë të optimizmit dhe vullnetit për progres që buron nga ky popull e që pat arritur kulmin e ambicieve e shpresës mu mbi rrënojat e luftës së egër e diktaturës së egër paraprake.
Miq, liria dhe progresi i vendit tonë, i themelluar mu mbi supet e luftëtarëve heroikë që më vonë kanë supozuar pushtetin dhe rrënuar vlerat mbi të cilat është bazuar vet heroizmi i tyre, nuk plotësohen pa pensionuar mu këta ‘heronjë të (para)luftës’. Dhe kësaj valle vështirë t’i gjenim protagonist prijës më të përshtatshëm se vet Fatmir Limaj! Në fund edhe duhet t’u ndërtojmë lapidarët e sakrificës së tyre heronjëve tanë të tranzicionit e të luftës, por disi t’ua gërryejmë statujave të tyre trurin dhe zemrën, për të paraqitur padijen mujshare dhe egocentrizmin autodestruktiv që na kanë sjellur në buzët e greminës identitare e historike sot!