Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk ia kanë ditur asnjëherë peshën strategjike ShBA-së, ka vlerësuar ish-kryenegociatorja në bisedimet e Brukselit, Edita Tahiri, përmes një shkrimi në Facebook.
Reagimin e Departamentit amerikan të Shtetit ndaj qeverisë kosovare në lidhje me mosshtyrjen dhjetë-muajshe të afatit të riregjistrimin të targave serbe në “RKS”, Tahiri e ka quajtur “shuplakë diplomatike” ndaj, siç tha ajo, vetë shtetit të Kosovës.
“Shuplaka diplomatike që i erdhi qeverisë nga Amerika për moskoordinim per marrëveshjen për targa është shuplakë për shtetin e Kosovës”, ka shkruar ajo.
Tahiri tha se për një gjë të tillë “të gjithë duhet të brengosemi”, ngase “aleanca me Amerikën është e shenjtë dhe si të tillë duhet ta ruajmë”.
DASh përmes një komunikate për shtyp u shpreh e “zhgënjyer” që Qeveria e Kosovës zgjodhi të mos përfill kërkesën amerikane të shtyrjes dhjetë-muajshe të çështjes së riregjistrimit të targave.
Në anën tjetër edhe Bashkimi Evropian, ndonëse tha se Kosova ka të drejtë që gradualisht t’i heq targat “KM etj”, sipas tyre, nuk është bërë në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2016, e cila parasheh fazë 12 muajshe tranzicioni.