Gjini: Plani franko-gjerman nuk jep detaje për Asociacionin, kërkohet vetëm zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka dhënë detaje për plani franko-gjerman, i cili bazohet në konceptin e marrëveshjes në mes të dy Gjermanive.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se në dokument nuk precizohen detajet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas tij, aty vetëm kërkohet që të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e Brukselit.

“Në këtë marrëveshje nuk precizohen detajet për atë se si do të duket Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, mirëpo në njërën prej pikave të fundit, thuhet se të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash duhet të respektohen. Unë besoj se kjo nënkupton se marrëveshjet që janë arritur, duhet të respektohen ashtu siç shkruan dhe, si rrjedhojë, edhe krijimi i Asociacionit. Se si do të duket ai asociacion, nuk është pjesë e dokumentit të cilin unë e kam parë”, ka thënë Gjini.