Kriza e paralajmëruar ushqimore, a ka grurë Kosova dhe deri kur i mjafton?.Ndalesa e eksporteve të grurit dhe produkteve tjera elementare që kanë vendosur disa shtete, shkaku i luftës në Ukrainë, mund ta dërgojë botën drejt një krize ushqimore.
Kriza mund ta prekë edhe Kosovën, e cila pavarësisht prodhimit vendor, secilin vit është e varur edhe nga importi.
Por, çfarë po bën Qeveria në këtë drejtim? A ka Kosova mjaftueshëm grurë dhe a mundet Qeveria të ndërhyjë në çmime në rast të një krize të tillë?
Sekretari i Përgjithshëm i OKB’së, Antonio Guterres, ka dhënë alarmin për një krizë globale ushqimore, që mund të zgjasë me vite. Paralajmërimi i tij ka ardhur pas luftës disa mujore në Ukrainë dhe vendimin e disa shteteve për të pezulluar eksportin produkteve elementare, nga frika se do të mbesin pa to.
E nga një krizë e tillë s’do të kishte si të shpëtonte as Kosova, që varet nga importi edhe për produktet elementare.
Por, a është duke u përgatitur vendi ynë për një gjendje të tillë?
Gazeta Express ka pyetur ekzekutivin për grurin që ishte thënë se do të importohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, meqenëse shtetet prej ku importonte vendi më herët këtë kulturë, kishin pezulluar eksportin dhe nëse për këtë gjë ka folur kryeministri Albin Kurti, gjatë vizitës në Amerikë.
Qeveria është pyetur edhe për rezervat shtetërore dhe nëse do të ndërhyjë në çmimet, nëpërmjet subvencioneve, të cilat vitin e fundit janë rritur drastikisht. Në asnjërën prej këtyre pyetjeve, s’janë përgjigjur as nga Qeveria e as nga Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.
Për punën e grurit janë deklaruar nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës, të cilët kanë bërë me dije se s’ka vend për shqetësim.
Kreu i kësaj shoqate, Bashkim Zejnullahu i ka thënë Gazetës Express se sasia e grurit që ka vendi mjafton deri në sezonin e korrje-shirjeve.
“Jemi duke u afruar në sezonin e korrje-shirjeve të reja dhe deri në atë sezon kemi mjaftueshëm. Sa i përket Kosovës, ka mjaftueshëm. E kemi përballu me sukses të të gjithë akterëve dhe mendon se Kosova deri në korrje-shirjet e reja disponon mjaftueshëm (grurë)”, ka thënë Zejnullahu.
I pyetur nëse presin më shumë rendiment sivjet, Zejnullahu ka deklaruar se krejt kjo varet nga reshjet e shiut.
“Varet prej të reshurave që presim t’jenë këtë ditë. Janë duke munguar të reshurat, jo veç në Kosovë po edhe globalisht është një thatësi pak më e madhe. Presim t’ketë reshje shiu dhe nëse kish me pas, është produkti shumë i mire” ka deklaruar ai.
Kreu i mullisëve pret që sivjet të rriten sipërfaqet e mbjella me grurë, edhe shkaku i luftës por edhe pret që të ketë ndikim subvencionimi nga ana e Qeverisë.
“Mbjelljet e Kosovës kanë qenë në tetor të vitit të kaluar, e kriza ka filluar tek këtë vit. Ne presim që të mbjellat e tetorit të këtij viti të jenë shumë më të mëdha, por sa i përket të mbjelljeve të vitit të kaluar, as që pres që ka pas ndonjë lëvizje shumë më të madhe. Sistemi i subvencionimit të Qeverisë ka me ndiku shumë që të rriten sipërfaqet e mbjella”, ka thënë Zejnullahu.
E për krizën e paralajmëruar ushqimore, ekonomisti Haki Shatri thotë se Qeveria s’ka çka të bëj sivjet dhe se vetëm duhet të priten rezultatet pas korrje-shirjeve.
Shatri, i cili më herët ka qenë Ministër i Ekonomisë, ka deklaruar se të mbjellat për këtë vit kanë përfunduar dhe se krejt çka mund të bëj Qeveria është që të stimulojë bujqit që kultivojnë grurin, përmes subvencionimit të naftës.
“Për sivjet, Qeveria nuk mundet me ba kurgjë. Është kry puna. Është mbjellë çka është mbjellë, tash veç presin sa të bëhet bereqeti. Në vjeshtë munden me stimulu prodhuesit e grurit kur mbjellet gruri në vjeshtë, me naj subvencionim të naftës për bujqësi”, ka deklaruar Shatri.
Për kërkesat që Qeveria të ndërhyjë në çmime sikur rasti i Maqedonisë së Veriut, e cila ngriu çmimet për një muaj, Shatri thotë një gjë e tillë është e pamundur të bëhet, meqë si shtet jemi përcaktuar për tregun e lirë.
Sipas tij, ndërhyrje në çmim do të mund të kishte, vetëm nëse pastaj importuesit do të subvencionoheshin nga buxheti për ndryshimin e çmimit.
Por, edhe një opsion i tillë, thotë se s’mund të realizohet, meqenëse do të ishte i papërballueshëm për buxhetin e vendit.
“Është pak problem se ne në Kushtetutë jemi shpall shtet demokratik, me ekonomi të lirë. Është e pamundur me marr dikush vendim, kur jemi përcaktu për tregun e lirë. Ti mundesh me i caktu çmimet, por operatorët tregtarë s’kanë llogari me pru një produkt që e kushton më shtrenjtë e me e shit më lirë, sepse ata janë privatë. Nëse shteti, ndryshimin e çmimit, kostos edhe të shitjes ua kompenson, atëherë ka mundësi. Ama jo me i thanë bleje shtrenjtë e shite lirë, sepse për një muaj ata falimentojnë. Nëse e merr naj vendim shteti që ndryshimin në çmim me ua kompensu prej buxhetit, atëherë ka mundësi. Por, bukur e zorshme dhe e rëndë është sepse buxheti s’e përballon gjithë atë telashe”, ka deklaruar Shatri.
Ndryshe, në fund të muajit shkurt, Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, kishte deklaruar se Kosova ka rezerva të grurit për tre deri në gjashtë muaj.
Në fund të muajit mars, e njëjta kur po raportonte në Komisionin për Ekonomi, ministrja Rozeta Hajdari, ishte shprehur se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë një përgjigje pozitive nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket importit të grurit në të ardhmen edhe nga ShBA-të.
“Kosova nuk ka pasur varësi për import të grurit nga Ukraina, por nga Serbia. Por, fatmirësisht kemi marrë përgjigje pozitive nga shtetet e perëndimore dhe nga ShBA-të për mundësinë e importit të grurit nga këto shtete. Pra, Kosova mund të jetë blerës i ardhshëm i grurit amerikan”, tha ajo gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi.
Sipas statistikave që Dogana e Kosovës i ka dërguar Gazetës Express, Kosova më së shumti importon grurë nga Serbia.
Në vetëm dy muajt e parë të këtij viti, vendi ka importuar grurë nga Serbia në vlerë gati 2 milionë euro, që i bie se rreth 82 përqind e importit është realizuar vetëm nga ky shtet.
Importi i grurit nga Serbia ka qenë në vlera milionëshe edhe gjatë dy viteve të fundit. Në vitin 2020, vlera e importit ka qenë rreth 15 milionë euro, derisa në vitin 2021 ka qenë gati 23 milionë euro.
Përkthyer në përqindje, gjatë vitit 2021, rreth 85 përqind e importit të grurit ka qenë nga Serbia, kurse gjatë vitit 2020 ka qenë rreth 56 përqind.
Të tjera vende prej të cilave Kosova ka blerë grurë këtë vit janë edhe Kroacia, Hungaria, Maqedonia e Veriut. Më herët, importin e grurit, vendi e ka bërë edhe nga shtete, si: Turqia, Italia, Austria, Rusia, Gjermania, Bullgaria, Ukraina dhe Holanda.