Nuk gjejnë dot рunëtore në Ѕhqiрëri, marrin 190 gra nga Filiрinet dhe Neрali

Mungesën e fuqisë punëtore, sektori fason vijon të zgjidhë me marrjen e punonjëseve të huaja. Së shpejti 150 gra nga Nepali dhe 40 nga Filipinet me eksperiencë të ngjashme në vendet e tyre pritet të vijnë në Shqipëri. Sipas shoqatës Proeksport Albania rezulton se aktualisht sektori fason ka mungesë të theksuar për 20,000 vende të lira pune.

Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore Proeksport Albania ka nisur aktivizimin e kontratave për marrjen e punëtorëve nga vendet e treta, Filipine, Nepal dhe Neymar, ku shumica janë të gjinisë femërore për të ruajtur historikun qe ky sektor ka me rreth 98% te punonjësve te përbërë nga gratë.

Për këtë arsye, Proeksport Albania në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Kombëtar të Punës do të propozojë heqjen e vizave me Nepalin, Indinë dhe Filipinet, pasi procedurat për marrjen e punonjësve zgjasin deri në 120 ditë.

Kryetari i Shoqatës Edvin Prençe pohoi për Monitor se punësimi i grave nga Filipinet po rezulton i suksesshëm. Prençe shton se për punonjësit konkretisht nga Nepali kontratat janë mundësuar me garancinë e ambasadës së këtij shteti.

“Duke parë mungesën e theksuar për punonjës sezonale dhe vjetorë të sektorit do të propozojmë heqjen e vizave për Nepalin, Indinë dhe Filipine. Procedurat të fillojnë kur punonjësit ndodhet në territorin shqiptar dhe të jenë plotësuar detyrimet ligjore me kontrata specifike.

Kjo procedurë nuk lehtëson detyrimin e punëdhënësit, por përshpejton procedurën në vetvete që zgjasin minimalisht nga 90 deri 100 ditë. Kjo u jep frymëmarrje bizneseve. Lehtëson procedurat për krahun e punës dhe eliminon humbjen e kohës në procedurat burokratike. Nga ana tjetër do të rriten edhe përfitimet e shtetit nga të ardhurat e paguara për sigurimet shoqërore”, pohon ai.

Mungesa e fuqisë punëtore, për shkak të emigracionit të punonjësve vendas, veçanërisht të rinjve ka sjellë që nga bizneset shqiptare të shihet si zgjidhje e domosdoshme marrja e punëtorëve të huaj.

Por nisma për marrjen e punonjësve të huaj, veçanërisht nga vendet si Bangladesh apo Nepal nuk ka rezultuar e suksesshme për të gjithë sektorët e ekonomisë.Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahaj pohon se masa ka dështuar, ku sipas tij disa strukturave akomoduese, së fundmi u janë larguar 40 deri 50 punonjës të rekrutuar, pasi Shqipëria po përdoret prej tyre si vend trampolinë për të emigruar drejt Europës. Për të mbushur boshllëkun me punonjës sektori i bareve dhe restoranteve po punëson punonjës nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, por në shifra shumë të ulëta.

Edhe për drejtuesin e Qendrës së Eksporteve Shqiptare Alban Zusi masa nuk rezulton të jetë e suksesshme edhe për sektorin e agroindustrisë, pasi shumë punonjës janë larguar, për të emigruar në shtete të tjera.

Për drejtuesin e shoqatës Proeksport Albania Edvin Prençe punësimet e grave po rezultojnë më të suksesshme se marrja e burrave, pasi është shumë herë më i vogël risku për largimin e tyre, ndërsa garancia e dhënë nga ambasadat e shteteve përkatëse, për kontratat e rekrutimeve është një element shtesë për moslargimin e tyre.Kryetari i Proeksport Albania thotë se nisma për të marrë punonjës nga Bagladeshi ka dështuar në rastet kur sipërmarrësit kanë kontraktuar punonjësit nëpërmjet kompanive të tjera dhe jo nëpërmjet shoqatës.

Problematika me mungesën e punëtorisë që ka nisur në 3-4 vitet e fundit, për 2022 është kthyer në shqetësim për ndërmarrjet shqiptare. Vështirësi paraqiten në të gjitha sektorët e ekonomisë. Shkak i numrit të ulët të burimeve njerëzore mbetet emigracioni masiv i të rinjve. /Monitor