Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate ka thënë se kryetari i VV-së, Albin Kurti ka marrë traumë nga pozita e sekretarit organizativ, duke aluduar në përplasjen e tij me ish-sekretarin e VV-së, Dardan Molliqaj, duke shkaktuar një çarje të madhe në parti.
Në emisionin Pressing të T7, ku po diskutohet për kryesinë e re të Lëvizjes Vetëvendosje, Hyseni ka pyetur nëse dikush e di emrin e ish-sekretares organizative, pozitë të cilën e mbante Vlora Haxhiumehmedi, ku tani është zgjedhur Alim Rama.
Sipas Hysenit, me Ramën, kjo pozitë në VV ka mbetur vakante, pasi që, sipas tij, ky është qëllimi i Kurtit.
“Kurti ka traumë prej pozitës së sekretarit. A e mbani mend dikush emrin e ish-sekretares? Pozita e sekretarit tash është vakante. E dimë se kurrfarë roli s’ka me pasë më kjo pozitë”, ka deklaruar ai në emision.
Po ashtu, ish pjesëtari i partisë së Kurtit, ka thënë se Kurti e ka në pozitën e sekretarit një person me 1.2 milionë euro të gatshme, ndërkohë që porosiste që politikanët të lëvizin sipas ëndrrave të të varfërve.
“Kurti thoshte t’i lëvizim këmbët tona sipas ëndrrave të të varfërve, duke dashur të thoshte për neve se ne jemi të tjetërsum, të borgjezum. Tash e ka një sekretar që i ka kesh 1.2 milion euro”, ka deklaruar ai.