Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kritikoi ato që ai i quajti “raporte të ngrohta” midis Serbisë dhe Rusisë, dhe tha se sinjalet qe vijnë nga Beogradi tregojnë se ai po zgjedh autokracinë. Gjatë samitit të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Prishtinë, Kurti deklaroi se në kohën kur Rusia po vazhdon luftën në Ukrainë, Serbia ka arritur dy marrëveshje me Moskën, atë për furnizim me gaz edhe për tre vjet,dhe një marrëveshje për koordinim të politikës së jashtme.
“E kemi ditur për një kohë të gjatë se Serbia dëshiron t’i sigurojë të gjitha, edhe armë ruse, edhe investime kineze, fonde evropiane, por edhe tolerancë amerikane. Por, pushtimi rus ka zbuluar diçka së cilës i jemi frikësuar shumë, por nuk e kemi ditur me siguri: ballafaquar me zgjedhje midis demokracisë dhe autokracisë, Beogradi çdo ditë po përçon sinjale të qarta që do ta zgjedhë këtë të fundit”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti kujtoi se Serbia po refuzon që t’i bashkohet Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës dhe e cilësoi atë që kërcënim për për paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Po të ishte Rusia demokraci e vërtetë me shumë gjasë nuk do ta sulmonte kurrë Ukrainën. Ngjashëm, po të ishte Serbia demokraci e vërtetë, e jo një shtet me një parti ku opozita nuk ka kurrfarë gjase që të fitojë, nuk do të ishte një kërcënim kaq i madh ndaj paqes afatgjatë në rajonin tonë. Në këtë kuptim, përpjekjet e presidentit të SHBA-së, Joe Biden për të promovuar vlera demokratike në gjithë botën mund të shihen si përpjekje për të ruajtur paqen mes kombeve. Në të kundërtën e kësaj, autokratët ia kthejnë shpinën popullit të tyre për ta përqafuar njëri-tjetrin”, shtoi Kurti.
Në panelin e titulluar: “Rritja e qëndrueshme, prosperiteti dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor” mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se SHBA-ja mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik. Duke folur për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Hovenier tha se ky proces duhet të përmbyllet që Kosova të jetë pjesë e NATO-s”– tha ai.