Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit Strategjinë e Sigurisë së Kosovës për vitin 2022-2027.
Kurti theksoi se ky dokument parqet objektivat strategjike të ndërlidhura me interesat jetike shtetërore siç janë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial.
Kryeministri tha se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe të rajonit tonë.
“Ky dokument parqet objektivat strategjike të ndërlidhura me interesat jetike shtetërore siç janë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore e zhvillimi shoqëror si dhe integrimi në strukturat euro-atlantike e në mekanizmat e tjerë ndërkombëtar. Synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe të rajonit tonë”, tha Kurti.
Kurti tha se Kosova do të rrijë si Republikë e pavarur dhe demokratike.
“Ashtu siç ka ditur të çlirohet dhe pavarësohet Kosova, ajo do të rrijë si Republikë e pavarur dhe demokratike”, tha Kurti.
Ai ka përmendur rritjen e buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Kemi rritur buxhetin për FSK-në nga 63 milionë në rreth 102 milionë euro për vitin 2022”, deklaroi Kurti para ligjvënësve.