Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk beson që do të arrihet një marrëveshje e shpejtë për normalizim raportesh Kosovë-Serbi, sepse qasja e shtetit serb është në ruajtjen e marrëdhënieve me Rusinë.
Konjufca, gjatë konferencës me temën “Gjeopolitika e re pas agresionit rus kundër Ukrainës” të organizuar nga Kolegji Universum, Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) dhe Forumi Ballkanik (BF), tha se vetë nuk është optimist se mund të arrihet marrëveshje.
Nuk jam optimist në arritje të një marrëveshje të shpejtë me Serbinë. Nëse diçka e tillë do të ndodhte, pra sikur Serbia ta njihte Kosovën, do t’i shërbente jo vetëm rajonit, por gjithë Evropës. Sepse besoj që një njohje e Kosovës nga Serbia është e mirë për gjithë Evropën, pasi do të mbyllte disa çështje shumë të rëndësishme”, tha Konjufca.
Por, ai shtoi se Serbia, me kabinetin e ri qeveritar me në krye presidentin Aleksandar Vuçiq, ka dhënë tashmë mesazh të qartë për drejtimin që do ta ndjekë.
E gjithë struktura e rëndësishme e Serbisë, inteligjenca, ushtria, policia, dhe politika e brendshme është e udhëhequr nga personalitete që hapur thonë se Serbia duhet të bashkëpunojë me Rusinë. Vulin si shembull që tani udhëheqë me inteligjencën, pastaj Ivica Daçiq që është rikthyer si udhëheqës i politikës së jashtme dhe vetë Vuçiqi tashmë. Ata kanë treguar tashmë se çfarë rruge do ta ndjekin”, tha Konjufca.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, deklaroi se megjithëse është kritike e madhe e Vuçiqit, nuk e krahason atë me presidentin rus Vladimir Putin.
“Ai ka interesa të tjera, e vërtetë, me të cilat totalisht nuk pajtohem, por gjithashtu është për një bashkëpunim dhe e di se zgjidhja vjen përmes dialogut. Prandaj nuk do të ngutesha me atë konstatim dhe t’i bëja të dy të njëjtë”, tha ajo./EO