Lajm i mirë/ Gjermania i premton ndihmë Kosovës për siguri energjetike dhe prodhim

Ministrja gjermane Anna Luehrmann ka vizituar të dielën, ish-deponinë e Termocentralit “Kosova A”, ku pritet të realizohet projekti i parkut solar me përkrahje të qeverisë gjermane. Gjermania sipas saj, është duke u munduar të gjejë një alternativë për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që ta tejkalojnë këtë dimër dhe se kjo do të ndodhë duke u mbështetur në politikat për energjinë e gjelbër

Bashkimi Evropian, sipas ministres së Gjermanisë për Evropën dhe Klimën, Anna Luehrmann, po mundohet që të gjejë një alternativë për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për tejkalim të krizës energjetike gjatë këtij dimri. Por, sipas saj, kjo do të ndodhë duke u mbështetur në politikat për energjinë e gjelbër dhe zvogëlimin e konsumit të energjisë elektrike.

Luehrmann gjatë ditës së dytë të vizitës së saj në Kosovë, ka vizituar vendin e ish-deponisë së hirit të Termoncetralit “Kosova A”, në të cilin do të ndërtohet parku solar me kapacitet prej 100 megavatësh dhe që do të mbështetet nga Qeveria gjermane.

Nga aty, Luehrmann ka thënë se qeveria e saj është e përkushtuar që të ndihmojë Kosovën për siguri energjetike dhe prodhim.

“Ne jemi këtu afër këtij projekti ku së bashku me financimin gjerman do të prodhohen njëqind megavatë në një kohë shumë të shkurtër të shpenzuar nga energjia diellore dhe mendoj se kjo është rruga e së ardhmes, ne kemi arritur të kemi një kalim nga prodhimi i qymyrit në energjinë e ripërtritshme,

njëjtën rrugë është duke e ndjekur gjithë BE-ja dhe BE-ja ka vendosur që ne të zvogëlojmë përdorimin e qymyrit, në Gjermani po të planifikojmë të kemi 100 për qind energji të ripertrishme deri në vitin 2035 si një vend shumë i industrializuar”, ka thënë Luehrmann.

Sipas saj, atë që po e bën Gjermania mund ta bëjë edhe Kosova.

“Ju keni më shumë orë dielli këtu në Kosovë sesa ne në Gjermani, kështu që ne për problemet që po përballemi me çmimet e energjisë po mundohemi të përshpejtojmë këtë tranzicion për energjinë e ripërtërishme për të investuar më shumë në të, për të përdorur kulmet e çatisë për energjinë diellore si dhe të shfrytëzojmë tokën si kjo që po qëndrojmë, mbi hirin e prodhimit të qymyrit të vjetër”, ka thënë ajo.

Sipas saj, shumë kompani financiare dëshirojnë që klientët e tyre të investojnë për të ardhmen dhe të kenë qasje në tregjet e BE-së.

“Ne jemi duke munduar të aprovojmë një mekanizëm në BE që do t’iu jap përparësi produkteve të prodhuara me energji të ripërtritshme, që do të thotë se gjithë produktet e prodhuar me qymyr do të kenë problem të hyjnë në tregun e BE-së në një periudhë të shkurtër kohore. Prioriteti numër dy është veçanërisht për këtë dimër, jemi duke u mundur të ulim konsumin e energjisë, objektivi i BE-së është shkurtimi i konsumit për 20 për qind”, ka thënë ajo.

Por, këtë dimër, dhe atë të vitit të ardshëm, sipas ministres gjermane, vendet evropiane duhet të jenë solidare dhe t’i ndihmojnë njëra-tjetrës që të kalojnë sa më lehtë.

Edhe zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, pohoi se kjo ndërmarrje është duke shkuar në linjë të tranzicionit me energji të ripërtritshme.

“Përkrahja e Gjermanisë përmes KFË është e mirëseardhur dhe ky projekt prej 100 megavatësh do të financohet përmes Gjermanisë dhe vizita e zonjës Luehrmann vetëm sa tregon se Gjermania është duke vazhduar që të interesohet për Kosovën dhe për investimet e në këtë vend”, ka thënë ai.

Paraprakisht ministrja Luehrman ka vizituar fabrikën për prodhimin e paneleve diellore “Jaha Solar”.

Aty pronari i kompanisë, Fadil Hoxha e ka njoftuar atë, rreth punës që bëhet në këtë fabrikë dhe investimeve në energjinë solare. /Koha.net