“Versioni i draftit për Asociacionin që u publikua është një version i vjetruar”

Instituti gjerman, “Friedrich-Ebert-Stiftung”, ka pranuar autorësinë e draftit për Asociacionin, dhe në lidhje me hartimin e tij ka përgënjeshtruar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq

Instituti gjerman “Friedrich-Ebert-Stiftung” ka konfirmuar për RTV Dukagjinin se bashkë me Institutin Evropian për Paqe janë autorë të draftit të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që doli të enjten në publik.

Por, përmbajtjen e draftit ky institut e ka quajtur të vjetër.

“Versioni që u publikua dje është një version i vjetruar. Shpresojmë që së shpejti ta përfundojmë punën tonë dhe ta ndajmë më pas me publikun”, thuhet në përgjigjen për RTV Dukagjinin.

Ndërkaq, instituti ka shtuar se drafti është hartuar nga zyra e saj në Prishtinë dhe jo nga ajo në Beograd siç ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Jo. Vërejtjet e Vuçiq janë të pasakta. Ky është një projekt i realizuar nga Zyra e Fondacionit Friedrich-Ebert në Prishtinë. Zyra jonë partnere në Beograd nuk ishte e përfshirë në hartim. Çdo përfshirje e zyrës sonë partnere ishte e kufizuar në mbështetje logjistike”, thuhet në përgjigjen e institutit gjerman.

Lajm të rremë, e ka quajtur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, atë që ka qarkulluar si “Drafti gjerman”, i cili fliste për mënyrën se si do të formohej Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Osmani në një konferencë për media, ka thënë se asnjë dokument i tillë nuk i është prezantuar zyrës së saj apo Qeverisë së Kosovës.

Ajo ka shtuar se Gjermania apo partnerët e tjerë ndërkombëtarë asnjëherë nuk kanë kërkuar asgjë që mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Po ashtu, ajo e ka paralajmëruar një takim në mes të ekipeve të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macon, ku sipas saj do të jepen detaje në lidhje me propozimin e tyre.