Të gjithë paragjykojmë kamarierët kosovarë si kamarierët më të shkolluar në Evropë. Shumë prej tyre besohet të kenë jo vetëm diplomë Bachelor, por edhe diplomë Master. Sa fiton njeriu në Kosovë si kamarier, a lë bakshishe populli ynë apo është tahmaqar në raport me ta?
Kamarierllëku në kulturën kosovare ka rol të veçantë në ndërveprimet sociale të popullit, me kafeteritë që mbeten ambientet e preferuara dhe prej opsioneve të vetme rekreative për bashkëbisedime. Në kulturën patriarkale shqiptare, zakonisht detyra e shërbimit i jipej grave dhe të shihje burra në këtë rol me shumë gjasë ka qenë sensacionale për gjyshërit tanë në vitet ’50 e ’60 të shekullit të kaluar.
Frekuentimet e shpeshta madje nëpër kafeteri, kanë ndjellë një farë gjuhe komunikuese alternative në mesin e klientëve ndaj kamarierëve.
Rrallëherë e shohim apo dëgjojmë dikë duke iu drejtuar me titull profesional një kamarieri. “Boss”, “shef”, “haver” etj, janë etiketime që gjejnë praktikë të zakonshme si referencë ndaj shërbyesve gastronomë.
Disi, në tentativë për të shmangur përdorimin e emrit profesional – të pranueshëm e të përdorshëm globalisht – “kamarier” – sa për të kursyer ndjenjat vetëvlerësuese të shërbyesit, nënvetëdijshëm krijojmë predispozita për stigmë ndaj një profesioni tejet fisnik siç është ky për të cilin po flasim.
Madje, stigma dhe vlerësimi i ulët për profesionin e kamarierit ka qenë i vërejtshëm edhe në vendet tjera. Gastronomia në Spanjë së fundmi është përballur me probleme të mëdha të gjetjes së kamarierëve, me 100 mijë pozita që mbeten të lira dhe të braktisura, për t’u krijuar shqetësime e halle enorme pronarëve të lokaleve.
Sidoqoftë, ky profesion ngërthen në vete shumë më shumë se veç sjelljen e një pije mbi tavolinë apo një pjateje me ushqim. Do të faleshim po të harronim multi detyrat që i kryen një shërbyes gastronom përtej asaj që mban në tabak. Përshëndetja e klientëve, buzëqeshja e vazhdueshme, urimi “ju bëftë mirë” pas çdo porosie, pastrimi dhe përgatitja e tavolinave, rrallëherë futen në ekuacionin e mendimeve në popull kur gjykojmë një kamarier.
Megjithatë, të kesh punë me llojlloj insani që vjen në formën e klientit, kryerjen e shërbimit dhe pagesave, në mënyrë automatike hapet rrugë për atë që e quajmë bakshish, e që ofrohet si një lloj mirënjohjeje financiare për shërbimin e kryer ndaj punonjësit gastronom.
Të pasurit punë me palë/klientë i ka benefitet e veta dhe bakshishi është një prej tyre për profesionin e kamarierit. Vetë ideja e këtij artikulli erdhi nga një bashkëbisedim me një menaxher lokali, i cili pak kohë më parë ishte ngritur në detyrë nga pronarët, derisa tash ishte emëruar menaxher, por jo që po i bënte shumë përshtypje.
“Jo, njeri. Ma mirë i kom pasë punët si kamarier. Bile nxjerrsha naj bakshish, përveç rrogës, tash si menaxher veç qat ngritje page që m’ka ardhë masi kom hypë n’post, a kështu bakshishat i kom harru,” – po më thoshte ai.
Sa lënë bakshish kosovarët?
Epo, në bazë, të asaj që më tha Arben Himaj nga kafiqi, ‘FolShqip’, kultura e baksishit në Kosovë nuk është se është krejtësisht e pazhvilluar.
“Fitimet janë të mira,” – po më thoshte ai. “Varet, 10, 15, 20 euro në ditë.”
“Mesatarisht, nër 10 euro në ditë nuk mes”.
Tutje ai po më tregonte se klientët e moshës 25 deri 35-vjeçare janë prej atyre që tregohen më dorëlirë për nga bakshishi, në krahasim me klientët e moshës 40 e tutje.
“Si profesion, mendoj që në të ardhmen ka me pasë mungesë të kamarierëve. Mirëpo, kjo ndoshta do të shërbejë në rregullimin e kushteve,” – po më thoshte Himaj, 25-vjeçar.
Për më tepër, se shumica e kamarierëve në Kosovë janë me fakultetë të përfunduar, ka qenë një prej paragjykimeve më të hasshme rreth këtij profesioni.
Ashtu, të paktën pak a shumë, duket se qëndron puna edhe me Himajn.
“E vërtetë osht. Vetë jam me fakultet (në përfundim e sipër). Jam student i infermierisë, akoma i padiplomuar. Mirëpo, edhe me u diplomu, duhet me vazhdu si kamarier, se osht problem me gjetë punë në profesionin që jam si student.”
Himaj, në sytë e mi, me shpjegimet e komentet që po më jepte jo vetëdijshëm po e legjitimonte një teori apo paragjykim të moçëm rreth kamarierit. “Një herë kamarier, përgjithmonë kamarier”.
Apo ndoshta e thënë ose elaboruar në mënyrë pak më pak agresive – porsa të provosh profesionin e kamarierit për një kohë, do të jetë shumë e vështirë t’i largoheni.
Paga mesatare dhe “xheparci” nga bakshishet e përditshme janë tunduese mjaftueshëm, sa për t’iu mbajtur të ngërthyer nën kthetrat e rehatisë modeste të profesionit të kamarierit.
Mirëpo, ekziston një dallim i madh mes të qenurit shërbyes në një hotel me pesë yje ose restorant prestigjioz dhe të qenurit kamarier në një kafe të vogël lokale.
Derisa po e shkruaja këtë paragrafin e parafundit, por e ndërtoja njëfarë shpjegimi logjik pse në restorante apo hotele ka të ngjarë që rastisi shumë shpesh në kamarierë më të vjetër në moshë, se sa nëpër lokalet e qytetit.
Për një komunitet social, të qenurit kamarier/e është punë perfekte studentësh. Fleksibile dhe e lehtë të menaxhohet në mbajtjen financiarisht të vetës, derisa kryen studimet ose përgatitesh për punë tjera.
Për një komunitet, audiencë dhe objekt tjetër shërbyes, si hoteli ose restoranti prestigjioz, nga një kamarier/e kërkohet të jetë profesional, me një nivel shërbimi të arritur pas shumë e shumë orëve praktike e zhvillimi aftësish.
Qindra metra tutje, larg ‘FolShqip’, u ndala te ‘Piano’, afër monumentit New Born, ku takova Arif Lokajn, 23-vjeç, e që tha se prej tetë vitesh ushtron profesionin e kamarierit.
Të ardhurat në formë mirënjohjeje, të njohura si ‘bakshish’, ai i ndërlidhi ngushtë me mënyrën si kryhet shërbimi ndaj klientit – e që ishte shumë e logjikshme ta dëgjoja.
“Bakshish lojnë varësisht qysh i rrinë gati një klienti, edhe varësisht prej tipit të klientit”, më tha ai.
“Asnjë ditë nuk është e njëjtë. Najherë i boj 2-3 euro, najherë 20 euro. Varet krejt prej ditës, edhe sa i rrin gati vet”.
Lokaj nuk dukej shumë i kënaqur ose shumë i pakënaqur nga kultura e bakshishit në Kosovë, derisa shtoi tutje:
“E kisha vlerësu 60% kulturën e bakshishit. Unë, si njeri me eksperiencë në gastronomi, kisha thonë që është një kulturë mesatare e bakshishit,”
I njëjti nuk u pajtua me paragjykimin se “shumica e kamarierave në Kosovë janë me fakultet”, duke shtuar se “varet prej drejtimit të njeriut”.
Kur hëngrët për herë të fundit në një restorant, si ishte shërbimi? I ngadaltë apo i shpejtë? I ngathët apo i vëmendshëm? Krejt I mbajmë mend eksperiencat e mira e të këqija nëpër restorante apo kafene, por ndoshta duhet të ndajmë një mendim më shumë për ata që punojnë në këto role. /Nacionale