Molliqaj: Kurti mashtroi kur tha dialogun e kemi proritet numër 7, tash do të pranojë marrëveshje pa njohje

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se Qeveria Kurti ka mashtruar në lidhje me dialogun që nga dita e parë kur ka deklaruar se ky do të jetë prioritet numër 7 e deri te gënjeshtrat se po vendosë sovranitetin dhe reciprocitetin me Serbinë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Molliqaj ka kritikuar Qeverinë Kurti për qasjen në dialogun me Serbinë.

Ai shtoi se kryeministri Albin Kurti e kishte “shitur” si fitore vendosjen e reciprocitetit, por sipas tij, ky ishte një mashtrim që do t’i bëjë dëm të madh vendit.

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Vetëvendosjes tha se një e keqe tjetër është se opozita po e mbështetet Kurtin.

“Së pari duhet t’ia bëjmë një kritikë fillimisht Qeverisë, por edhe shoqërisë tonë. Festa mbaroi. Kishte një entuziazëm të cilin e kishte injektuar e imponuar Qeveria e Kosovës thua që ne jemi duke fituar, thua ne jemi duke vendosur reciprocitet dhe jemi duke ecur përpara në dialogun Kosovë-Serbi. Ky ishte një mashtrim i cili në njërën anë do t’i bëjë dëm politik Kosovës në anën tjetër shoqëria duhet të jetë më e vetëdijshme. Jemi duke humbur në këtë proces”.

Ai shtoi se Kosova është në një proces të dëmshëm, sepse do të ketë në thelb normalizimin e marrëdhënieve pa njohje nga Serbia.

“Që nga dita e parë e Qeverisë Kurti kur ka mashtruar se do të jetë prioritet numër 7 kemi thënë që është duke thënë të pavërteta e deri te dita kur ka thënë se po e vendosim sovranitetin dhe reciprocitetin me Serbinë. E keqja e kësaj pune është që opozita parlamentare e ka mbështetur Kurtin në këto veprime prej ndalimit kinse të referendumeve e deri te masa e reciprocitetit. Tani jemi në një proces shumë të dëmshëm për Kosovën. Në njërën anë Kosova do të pranojë marrëveshje e cila do të ketë në thelb normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi pa na njohur Serbia. Krejt çka është tu u bo është qysh me normalizu mosnjohjen”.

“Nuk ka diskutim për njohje dhe ka kompromis të ri, i cili nuk është kompromisi i fundit. Këtë çështje e ka sjellë Qeveria Kurti. Në njërën po na mban të mbyllur BE- ja për çështjen e vizave por në anën tjetër duke mos pasur Qeveri që zgjidh problemin politik edhe kjo qeveri po e mban pezull çështjen e liberalizimit të vizave. Dialogu nuk mund të kushtoj liberalizimin e vizave. E vërteta është që ata e kanë kushtëzuar tashmë. Qeveria Kurti me shumë gjasë do të bëjë një kompromis, i cili nuk dërgon në njohje dhe dëmin që do t’ia sjellë Kosovës do të jetë shumë i madh sesa përfitimin. E vetmja karotë për Kosovën ka mbetur liberalizimi i vizave”.