Kryediplomatit serb Nikola Selakoviq, i cili vazhdimisht i është referuar me mbiemrin Schwarz ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB’së, ku u diskutua raporti i UNMIK, i ka kthyer një përgjigje vetë ministrja Gërvalla pak para se të mbyllej seanca.
Ajo ka treguar se përse Selakoviq nuk mund ta përmend mbiemrin Gërvalla.
Ajo ka arsyet lidhen me babain e saj, heroin Jusuf Gërvalla i cili është përndjekur dhe vrarë nga sigurimi serb.
“Nuk dua t’ju mërzis me këto sulmet personale, por nuk munda ta kaloj këtë gjë. Z. Selakoviq nuk arrin të më thërras në mbiemër, që nuk është Schwarz, ky është i burrit tim. Mbiemri im është Gërvalla dhe ka një arsye pse Selakoviq nuk mund të më thërras sipas këtij mbiemri. Ky është mbiemri i babait tim të cilin Beogradi e ka dëbuar në Gjermani. Ka qenë shkrimtar, gazetar, muzikant dhe është vrarë nga shërbimi i sigurimit serb”, ka thënë Gërvalla.
Ministrja ka thënë se mbiemri Gërvalla paraqet një histori të errët për shtetin serb.
“Mu për këtë është shumë vështirë që të përmendet mbiemri Gërvalla, sepse është një vrimë e madhe e errët në ndërgjegjen e Serbisë. Do të mund shpenzoja shumë kohë për të reaguar në shumë gjëra, vetëm se nuk do të reagoj, sepse e respektoj kohën e këtij organi të nderuar”, ka deklaruar ajo.
Mes tjerash, ministrja Gërvalla ka thënë se përkundër pengesave të qëllimshme të Serbisë, Kosova vazhdon të zhvillohet në të gjitha aspektet dhe të shënojë progres. Ajo ka ftuar pjesëmarrësit e seancës që t’i referohen raporteve ndërkombëtare, për të parë progresin që po shënohet në Kosovë. /GazetaExpress