Pajaziti: Duhet të mbyllet hasmëria me Serbinë, Kurti të jetë transparent

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Zenun Pajaziti ka thënë se është me rëndësi që “hasmëria” me Serbinë të mbyllet. Pajaziti, ka thënë se s’mund t’i komentojë dokumentet e shumëp֝ërfolura, që publikohen si drafte të një marrëveshje përfundimtare mes dy shteteve.

Ai ka thënë që është me rëndësi që kryeministri të jetë transparentë për procesin. Sipas tij, deri tani, Kurti nuk ka treguar transparencë mbi dialogun.

“Nuk duhet të spekulojmë shumë me dokumente që sillen vërdallë, pa marrë parasysh nga vijnë. Më e rëndësishmja është që kryeministri ynë të na njoftojë për gjithçka që lidhet me dialogun. Nuk kemi transparencë për këtë çështje. Aspak nuk ka pasur transparencë”, ka deklaruar Pajaziti në “DPT te Fidani”.

Sipas Pajazitit, Kryeministri duhet të bindet që marrëveshja duhet të mbyllet dhe ta marr seriozisht.

“Është mirë që më nuk thotë se e ka prioritet të 5, 6 apo 7. Ai ka qenë kundër dialogut, mandej ka pasur disa formulime si, po di dialogojë me serbët për çështje të brendshme, por asnjëherë nuk e ka thënë qartë që, po, do të përfundohet ky proces. Mbyllja e hasmërisë me Serbinë, është e rëndësishme”, ka deklaruar Pajaziti.

Ndonëse nuk i beson Kurtit, sipas tij, ai ka dhënë shenja pozitive me hyrjen në dialog dhe duke e takuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk jam njëri nga ata që i besoj Albin Kurtit, por kemi besuar të gjithë që të paktën do të sillet normalisht në cështjet që janë serioze dhe do të jetë i kujdesshëm në këtë proces. Nuk është që s’ka shenja se nga mohimi i plotë, është në dialog, është takuar me Vuçiqin”, ka thënë ai.

Video KËTU.