Muja shpalos të dhënat: Kosova bleu rrymë nga GEN-i Beograd, pasi PDK-ja erdhi në pushtet

Deputeti i LVV-së, Armend Muja ka thënë se Komisioni Hetimor për Energji Elektrike (II), nga të dhënat e importit të energjisë të siguruara nga KEK dhe ZRRE rezulton se Kosova ka blerë energji elektrike në vlerë prej 314 milionë euro ndërmjet 2006-2013.

Sipas tij, importi i energjisë elektrike kryesisht është bërë nga Kompanitë që shpesh janë vlerësuar si pjesë e mafias ballkanike/serbe të energjisë.

“(1) EFT Group – Kosova ka importuar 142 milione euro nga EFT. Kompania ështe pronë e bzinesmenit serb Vuk Hamović, ish-drejtor i Energoprojekt, djali i Gjeneralit serb Hamović, mik i djalit të Aleksander Rankovič. EFT është hetuar nga Britania e Madhe, SHBA dhe BE për dyshimet e ndërlidhjes së tyre me politikanë të ndryshëm ballkanik. Hamović zotëron projekte të energjisë në Republika Srpska, të financuara nga Kina dhe ka një bankë në Rusi. Ndërmjet 2006-2013 Kosova ka blerë energji nga Hamović në vlerë prej 142 milionë euro. KEK nuk importon më rryme nga EFT”, shkroi ai në Facebook.

Po ashtu, ligjvënësi i pushtetit theksoi se ndërrmarrja Publike KOSTT ka nënshkruar kontratë për mbulim të humbjeve në veri me Hamović në vitin 2017.

“(2) Rudnap – në pronësi të Damir Fazlić, nip i Stanishić (shefit të sigurimit tê Milosheviqit) dhe Vojin Lazarevič, djali i Gjeneralit serb Lazarevič. Fazlić dhe Lazarevič kishin në pronësi banka në Shqipëri, Qipro dhe të ndërlidhura me offshore kompani në Panama, Qipro, Malta dhe Ishijt Sychelle”, theksoi ai.

Gjihtashtu, Muja tha se Kosova ka blerë energji elektrike nga GEN-i në Beograd, pas ardhjes së PDK-së në pushtet.

“(3) GEN-i Beograd – Kosova ka blerë 82.2 milionë euro nga GENi-Beograd ndërmjet 2008-2013. GEN-i Beograd është bërë partner importi i KEK pas ardhjes së PDK në pushtet”, përfundoi ai.