Ky është ushtari i parë i rënë me uniformë të UÇK-së (VIDEO)

Sot janë bërë 25 vjet nga rënia heroike e Adrian Krasniqit.

I lindur më 11 tetor 1972, ai ishte ushtari i parë i rënë me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adrian Krasniqi ishte njëri nga protagonistët kryesor të UÇK-së.

Krasniqi ka lindur në familjen e njohur të Sylerxhëve të fshatit Vranoc, të Pejës, nga babai Rexhepi dhe nëna Majremja.

Në moshën tetëvjeçare Adrianit i vdes babai, dhe ai bashkë me të vëllain, Ilirin, (përveç nënës shëndetligë) rriten nën përkujdesjen e gjyshes Fanë, xhaxhait Xhafer Krasniqi dhe dajëve të tyre.

Adriani mësimet e para i mori në shkollën fillore “Vëllazërimi” në Baran, ndërsa shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë. Në vitet 1991 – 1993 studimet i vijoi në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, dhe pastaj në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës.

Qysh si nxënës i shkollës së mesme (1988/89) ai u dallua në organizimin e demonstratave në qytetin e Pejës, përkundër kërcënimeve se mund të përjashtohet nga gjimnazi.

Gjatë vitit 1992 Adrian Krasniqi me anëtarët tjerë kanë shkuar disa herë në Shqipëri për të siguruar armatim.

Gjatë procesit të hetimeve kundër pjesëtarëve të burgosur të UҪK-së zbulohet edhe aktiviteti i Adrian Krasniqit dhe në qershor 1997 prokuroria serbe krahas 21 emrave të akuzuar për “TERR0RlZEM” kishte radhitur në aktakuzë edhe Adrian Krasniqin.

Përkundër ndjekjes nga regjimi serbe, Adriani nuk e ndali aktivitetin e tij për asnjë çast. Në fund të javës së parë të shkurtit 1997, Adrian Krasniqi bashkë me Ilir Konushevcin, kalojnë në Shqipëri për të vazhduar veprimtarinë atdhetare.

Adrian Krasniqi për herë të fundit në Kosovë futet në tetor të vitit 1997.

Në këtë rrugëtim bartjen e armëve nga Shqipëria në Kosovë bashkë me Adrianin po e bënin edhe Sylejman Selimi, Mujë Krasniqi, Qerim Kelmendi, Ilir Konushefci etj., të cilët kishin vendosur që me të dërguar të këtij kontigjenti të armatimit brenda në Kosovë, të bëjnë organizimin e një varg sulmeve të rrufeshme anë e kënd Kosovës.

Adrian Krasniqi bashkë me Ilir Konushefcin dhe Qerim Kelmendin kishin vendosur që ta sulmojnë stacionin policor të Kliçinës.

Pas suImit, forca të shumta të policisë serbe kishin rrethuar fshatrat Jabllanicë, Bardhaniq e Zhebel të komunës së Gjakovës, sepse pas kryerjes së sulmit të paraparë mbi stacionin e policisë serbe në Ҫallapek, gjurmët kishin çuar në drejtim të Jabllanicës.

Adriani ka gjuajtur në një makinë, ku kishte parë se ka njerëz të cilën e kishte marrë policia serbe nga shqiptarët, ku edhe bie heroikisht në fushë të nderit.

Trupi i heroit Krasniqi pushon në varrezat e fshatit të lindjes, në Vranoc.

Adrian Krasniqi varroset në fshatin e tij të lindjes, në Vranoc, më 18 tetor 1997, me pjesëmarrjen e rreth 15 mijë shqiptarëve nga të gjitha viset e Kosovës.

Në 25 vjetorin e rënies heroike të dëshmorit Adrian Krasniqi sot në Kliqinë të Pejës u organizuan homazhe dhe marsh në nderim të jetës dhe veprës së tij.