Sami Lushtaku e ka cilësuar “të motivuar politikisht” denoncimin e bërë nga kryeministri Albin Kurti ndaj kompanisë “Security Code”, e cila është në bashkë-pronësi të nipit të tij, Milazim Lushtakut.
Në një deklarim për gazetën Nacionale, Lushtaku i cilësoi si sulme “të motivuara politikisht” komentet e kryeministrit ndaj kompanisë e cila është përgjegjëse për ruajtjen e sigurisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Edhe Serbia qishtu na ka ndjek si Albin Kurti”, tha Lushtaku. “Ai është marrë me këtë kompani për shkakun tim, normal”.
Kurti e ka bërë përgjegjëse kompaninë “Security Code” për dështim në kryerje të detyrave në rastin e djegies së veturës së drejtorit të auditimit në ShSKUK, Musa Vitisë.
Kurti ka thënë se përgjegjëse për djegien e veturës së Vitisë janë edhe dy kompani sigurimi që ishin përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave në kryerjen e detyrës.
Njëra prej tyre, “Security Code”, është në pronësi të Milazim Lushtakut, kushëririt të Sami Lushtakut, funksionarit të Partisë Demokratike të Kosovës.
“Të korruptuarit dhe kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg, e jo jashtë tij ku lirinë e përdorin si mundësi për të përsëritur krimin”, ka thënë Kurti.