Rugova:”Kam simpati për krishterimin, ka qenë feja e parë e popullit tonë”

“Intervista është botuar në Corriere Della Sera me me 27 nëntor 2003

Corriere Della Sera:

Presidenti Rugova, a është e vërtetë që jeni konvertuar në fenë krishtere?

“Një buzëqeshje, një qetësi e gjatë. Nxënësi i vjetër i Roland Barthes di t’i masë fjalët”, kështu shkruan në hyrje të artikullit gazetari italian.

Ta themi kështu: sot gëzoj një lloj simpatie të veçantë për edukatën krishtere dhe perëndimore.

Corriere Della Sera:

A mund ta quajmë një rrugëtim shpirtëror atë çfarë jeni duke e bërë?

Ibrahim Rugova:

Edukata jonë është me prejardhje perëndimore. Edhe historikisht besimi i parë fetar i praktikuar nga populli shqiptar ka qenë ai krishter. Xhamiat dhe pjesët tjera kanë ardhur më vonë. Që prej Ilirëve dhe Romakëve, ka pasur në këto toka gjurmë të krishterimit. Ndërkaq, me ardhjen e Otomanëve një pjesë e popullatës u detyrua me dhunë që të konvertohej në fenë islame. Kjo ka ndodhur edhe pas Skënderbeut dhe rezistencës së tij ndaj pushtimit turk.

Corriere Della Sera:

Një rikthim te rrënjët…

Ibrahim Rugova:

Ka pasur një depërtim shumë të thellë të doktrinës muslimane dhe kjo akoma sot përkthehet në vendosjen e emrave dhe në kostumet e popullit tonë. Krishterët dhe muslimanët janë integruar në një lloj harmonie. I vetmi prezumim i ekzistencës sonë është toleranca reciproke. Pa këtë do të ishim zhdukur: ne kosovarët, por edhe shqiptarët e Shqipërisë dhe maqedonët. Kështu që, sot, në këtë klimë, secili nga ne mund ta zgjedhë religjionin që e përfaqëson më së miri.

Corriere Della Sera:

Mirëpo, ju jeni presidenti i Kosovës…

Ibrahim Rugova:

Kjo e imja është një interesim kulturor dhe shpirtëror krejtësisht personal. A e shihni atë portret? Ai është portret i Pjetër Bodganit. Ka qenë një ipeshkëv i madh i Kosovës. Në vitet ‘600 e luftoi penetrimin islamik në këtë tokë. Një figurë e jashtëzakonshme, shumë aktual për kë dëshiron që t’i kuptojë këto epoka të konfrontimeve mes civilizimit.

Corriere Della Sera:

Kur do të pagëzoheni?

Ibrahim Rugova:

(Një tjetër buzëqeshje) Do ta shohim…Tani objektivi im është mbi të gjitha politik. Dua që të synoj në një tolerancë mes të krishterëve dhe muslimanëve.Ëndrra ime është që t’ia ndërtojmë një mauzole Nënë Terezës, krishteres dhe shqiptares së madhe. E kanë dizajnuar dy arkitektë italianë, Bruno Valente dhe Giuseppe Durastanti. Kam qenë në Vatikan. Ia kam treguar projektin edhe ministrit të juaj Buttiglione.

Corriere Della Sera:

Por, ato para a nuk mund të përdoren për gjëra më urgjente?

Ibrahim Rugova:

Projekti do të financohet nga donacionet individuale. Në çdo rast, neve na nevojiten këto simbole. Dhe, nuk besoj që me shumën e destinuar për një kishë, të ndryshojë edhe ekonomia e vendit.

Corriere Della Sera:

Çfarë vendi? Ju flisni për pavarësinë dhe amerikanët madje kanë caktuar një limit kohor (2005), por Kosova varet akoma nga Beogradi, të paktën formalisht…

Ibrahim Rugova:

Do të jemi të pavarur para vitit 2005. Është një hipotezë realiste.

Corriere Della Sera:

Mirëpo, lufta e Kosovës u bë, siç thuhej, për një Kosovë multietnike: shqiptarët muslimanë afër serbëve të krishterë. Ndërkaq, këtu është shqiptarizuar gjithçka. Mendoni që Evropa mund ta pranojë një Kosovë pa praninë e serbëve?

Ibrahim Rugova:

Kjo do të shndërrohet në një shoqëri multietnike, siç është Evropa. Është e vërtetë: impakti i parë që mund t’ju jepet është se shenjat, monumentet dhe gjuha janë shqiptare, por kjo vetëm për arsyen se shumica e popullit tanimë janë shqiptarë. Pas luftës pakicat serbe, turke, boshnjake dhe rome – janë pakësuar. Kjo nuk do të thotë që për ta nuk do të ketë hapësirë.

Corriere Della Sera:

Një hapësirë minimale: serbët vriten. Edhe ju, sa herë i keni vizituar pakicat?

Ibrahim Rugova:

Nganjëherë e kam bërë. Por, jam i prirë që t’i kufizoj daljet e mia publike për arsye të sigurisë.

Corriere Della Sera:

Por, ju a jeni në favor të rikthimit të serbëve në zonat si ajo e Pejës, që është e kontrolluar nga ushtarët italianë, e ku bashkëjetesa ndër-etnike duket e mundshme?