Me kritika nga opozita po shqyrtohet marrëveshja ndërkombëtare për ratifikimin e Marrëveshjes për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”.
Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere këtë marrëveshje po e arsyeton para deputetëve ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Murati tha se kjo marrëveshje parasheh një reformë të skemave sociale dhe pensionale.
“Nuk po marrim kredi për skema sociale, por për reformë në këtë sektor”.
Deputeti nga PDK-ja, Ferat Shala, ka kritikuar marrëveshjen për kredi 47 milionë euro që parasheh rimbursimin e skemave sociale për vitin 2021.
Ndërsa, deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti, ka thënë se 15 milionë euro nga kjo marrëveshje janë për mbështetje direkte buxhetore që, sipas tij, janë të panevojshme.
“Në histori nuk ka ndodhur me marrë kredi për skema sociale. Është e pakuptimtë me thënë po marrim kredi e borxhi s’po rritet”.
Ministri Murati qeshi me komentet e ish-kryeministrit Hoti, por ky i fundit kërkoi nga ai të jetë më serioz.
“Kërkoj të jeni serioz kur flisni me mua”, i tha Hoti ministrit Murati, shkruan KP.