Deputetja Blerta Deliu-Kodra, i ka reaguar zv.kryeministrit të Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, i cili gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian ka thënë se ekonomia është rritur mbi 10 për qind.
Deputetja e PDK-së ka thënë se sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, inflacioni në Kosovë është rritur mbi 19.2 për qind.
Ajo i është drejtuar zv.kryeministrit Bislimi që mos të lexojë statistika të kota, sepse gjendja nuk është aspak e mirë.
Deliu-Kodra akuzoi Qeverinë Kurti se ka lënë tërësisht pa mbështetje sektorin privat.
“Keni 800 milionë euro që po ju rrinë në Qeveri. Sot e kemi sektorin privat që nuk ka asnjë mbështetje prej Qeverisë. I keni lënë mësimdhënësit pa bukë. Kot juve ju dëgjoj duke më lexu statistika e norma që ky mekanizëm është zbatuar. Nuk jemi në gjendje të mirë”, ka thënë ajo.
Zëvendësi i Kurtit, në fjalën e tij, ka pretenduar se rritja ekonomike në Kosovë është më e madhja në rajon. Sipas statistikave të tij, ekonomia është rritur mbi 10 për qind, duke shtuar se një gjë e tillë nuk “tregon një progres të vakët”, sikur po thotë opozita.
Madje, të hyrat buxhetore, sipas tij, janë rritur për 33 për qind. (Sipas shpjegimit të ekonomistëve, kjo mund të ndodhë për shkak të rritjes enorme të çmimeve, që rrjedhimisht paguajnë dhe doganë e tatime më shumë)
Bislimi i ka mësuar deputetët e opozitës që mos të merren me diskutime nëse arsimtarët, të cilëve u janë ndalur pagat, “kanë me ble, s’kanë me ble dru”.
“Mos e zhvendos arsimtarin në nivel social, kanë me ble turshi s’kanë me ble. Ajo është sociale”, u shpreh Bislimi.