Ky diplomat serb i ka thënë Stalinit se shqiptarët janë populli më i vjetër në Ballkan

Stanoje Simiq, politikan serb i afërt me Josip Broz Titon, në një takim me ish- diktatorin sovjetik, Stalin, i ka thënë atij se shqiptarët janë populli më i vjetër në Ballkan.

“Sipas disa shenjave duket se shqiptarët janë populli më i vjetër në Gadishullin Ballkanik. Sipas disa fjalëve mund të përfundohet se gjuha e tyre është më e vjetër sesa gjuha greke”, ka thënë Simiq, duke përmendur si bazë faktin që emri Afërdita ka kuptim shqip, e jo grek.

Në vazhdim mund të lexoni stenogramet se ;ka është biseduar në atë takim të krerëve të shtetit jugosllav, me diktaotorin sovjetik:

Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq në javën e shkuar qëndroi në Moskë. Atje ai u takua me krerë shtetërorë e kishtarë rusë. Dha shumë deklarata kundër Kosovës e mori shumë premtime se Rusia do ta mbrojë Serbinë lidhur me Kosovën.

Medie serbe, e në veçanti “Novosti”, iu gëzuan këtij takim e këtyre deklaratave dhe, ndaj, shkruan për një “epokë të re marrëdhëniesh” ndërmjet Moskës e Beogradit, duke përkujtuar edhe marrëdhëniet e mëhershme të ish – Bashkimit Sovjetik dhe të ish – Jugosllavisë që udhëhiqej nga Josip Broz Tito.

Kjo gazetë sheh hile të mëdha të Titos ndaj Serbisë, sidomos rreth qëndrimit të tij ndaj Kosovës.
Në këtë kontekst, gazeta ka publikuar edhe dokumente, stenograme, me të cilat pretendon se Tito kishte dashur t’ia jepte Kosovën Shqipërisë.

Dëshmi për këtë , transmeton Koha.net, është Përmbledhja e stenogramit të bisedimeve që në Moskë më 19 prill 1947 i zhvilluan me Stalinin dhe Molotovin Edvard Kardel, Stanoje Simiq dhe Vladimir Popoviq.
Në këtë takim Stalin u integrua edhe për shqiptarët.
Stalin: E si është puna me shqiptarët? Hoxha më është ankuar paksa në këshilltarët tuaj politikë në armatën e tyre, sikur ata e dëmtojnë disiplinën, apo si??

Kardel: -Kjo është gjë e re për ne. Nuk na kanë folur për këtë.
Stalin: Ç’origjinë kanë shqiptarët?
Kardel: Janë me origjinë ilire.

Stalin: Më kujtohet që Tito të më kishte thënë se ata janë të afërt, në farefisni, me baskët .
Kardel: Po, kjo është e vërtetë .
Simiq: Sipas disa shenjave duket se shqiptarët janë populli më i vjetër në Gadishullin Ballkanik. Sipas disa fjalëve mund të përfundohet se gjuha e tyre është më e vjetër sesa gjuha greke.
(Ai sqaroi se çfarë do të thotë Afërdita në gjuhën shqipe dhe pohoi se në greqishte kjo fjalë nuk do të thotë asgjë).

Stalin: Ky popull duket se ka mbetur shumë prapa dhe mjaft primitiv.
Popoviq:- Por janë shumë trima dhe besnikë.
Stalin: Po, ata ,mund të jenë besnikë si qentë, ky është tipar i primitivëve. Te ne, besnikë kështu, kanë qenë Çuvashët (rojtarë-sqarim i Koha.net) . Carët rusë ata i merrnin për roja personale.

Kardel: Te ne, në territorin e Kosovës e Metohisë edhe sot ka më shumë shqiptarë sesa serbë. Ne mendojmë, më vonë, kur të lidhemi më mirë me Shqipërinë, t’ia japim asaj këtë territor.
Stalin (për këtë i vjen shumë mirë): Shumë mirë, kjo është drejtësi. E si u gjenden shqiptarët në atë territor?

Kardel: Gjatë kohës së turqve ata e morën atë vis, e një pjesë të popullatës e denacionalizuan.
Stalin: Si është e mundur që një popull primitiv ta arrijë këtë? Si të shpjegohet kjo?
Kardel: Edhe fiset përreth kanë qenë primitive, për shembull, malazeztë.
Popoviq: Jo, ata nuk i kanë denacionalizuar malazezët. Në ato vise kanë jetuar serbët.

Stalin: E po si! (qesh)
Stalin: Cila fe është më përfaqësuara në Shqipëri ?
Simiq: Më së shumti ka myslimanë, katolikë, e ka edhe pak ortodoksë.
Detajet e tilla, transmeton Koha.net konstatimin e gazetës së Beogradit, konfirmojnë se Enver Hoxha me të drejtë në veprat e veta ka shkruar se Tito i kishte premtuar se Kosova do t’i jepej Shqipërisë, “sapo të qetësohen nacionalistët serbë”.

Dorëzimi i Kosovës Shqipërisë në ato vite, sipas gazetës, nuk u bë vetëm për shkak të ndarjes përfundimtare të Titos e Stalinit, përkatësisht Jugosllavisë e Bashkimit Sovjetik me vendet e bllokut të Lindjes me ku bënte pjesë edhe Shqipëria.

Arsye për këtë ndarje ka qenë heqja e statusit favorizues për qindra instruktorë civilë e ushtarakë rusë nga ana jugosllave, gjë që mohohej nga Beogradi i atëhershëm.
Arsyeja e vërtetë u zbulua më 10 shkurt 1948, nxjerr në shesh gazeta beogradase, kur Stalin në Kremlin priti Kardelin dhe Gjilasin.
Kardel: Nuk ka pasur mospajtime.

Stalin: Po si s’ka pasur! Ka pasur mospajtime, madje të thella. Çfarë mund të thoni për Shqipërinë? Nuk jeni këshilluar fare me ne për futjen e ushtrisë në Shqipëri.

Kardel: Ka ekzistuar pajtimi i Qeverisë shqiptare.
Stalin: Çfarë mendoni ju? U arsyetuat ose jo, është fakt se nuk jeni këshilluar me ne për dërgimin e ushtrisë në Shqipëri.

Kardel u përpoq të arsyetohej, këtë e bëri në shumë mënyra dhe pohoi se nuk i kujtohet asnjë çështje e politikës së jashtme në të cilën qeveria jugosllave nuk ishte këshilluar me atë sovjetike.
Stalin:

Nuk është e vërtetë! Ju nuk konsultoheni fare. Ky te ju nuk është gabim, ky është qëndrim.
Serioziteti i raportit të Stalinit ndaj dërgimit të armatës jugosllave në Shqipëri (dy divizione) shihte edhe nga telegrami që Molotov ia dërgonte ambasadorit të atëhershëm sovjetik Lavrentjev për Titon, më 31 janar 1948.

“Sipas bisedës suaj me shokun Lavrentjev shihet se ju e konsideroni normale situatën në të cilën Jugosllavia, duke pasur marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë BRSS-së (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) është e mundur që jo vetëm të mos konsultohet me BRSS-në, por që për këtë as më vonë të mos e njoftojë BRSS-në…

Nëse ju mendoni se kjo mënyrë është normale, unë me urdhër të Qeverisë ruse, jam i detyruar të deklaroj se BRSS nuk mund të pajtohet që të vihet para aktit të kryer. Shoku Lavrentjev na ka informuar se ju e keni ndaluar dërgimin e trupave jugosllave në Shqipëri, dhe këtë e kemi në dijeni .

Megjithëkëtë, është e qartë se ndërmjet qeverive toni ka mospajtime serioze se si të kuptohen marrëdhëniet e ndërsjella të cilat reciprokisht ndërlidhen marrëdhëniet aleate…”kishte shkruar Molotov.