Mjeku Ilir Allkja ka pranuar ditën e sotme se ka marrë bakshish nga familjarët e pacientëve që kanë shkuar në spital për të marrë shërbim. Këtë deklaratë, Ilir Allkja e bëri teksa foli për arrestimin e mjekut që merrte ryshfet dhe shtrimin në spital për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Ai tha në emisionin “Good Morning Albanians”, në “Euroneës Albania”, se nuk i vjen as turp dhe nuk ka as frikë ta pranojë këtë gjë. Gjithashtu, ai u shpreh se është e vështirë të gjesh mjekë që nuk kanë marrë bakshish gjatë karrierës së vet.
“Është vështirë të gjesh mjekë që nuk kanë marrë bakshish në jetën e vet. Kam marrë, nuk kam as turp dhe as frikë. Unë kam marrë nga njerëz të mi, nga kushërinjtë, nga familjarët. Më kujtohet një bisedë e para 10 viteve me një kolege nga Rumania.
Në Rumani numërohen 3.2 mjekë për 1 mijë banorë, ndërsa Shqipëria ka 1 mjek për 1 mijë banorë, është skandaloze. Mjekja më thotë, që vetë ministri i Shëndetësisë ka deklaruar se nëse njerëzit japin një bakshish pas shërbimit, merreni sepse e meritoni”, theksoi ai./CNA.al