Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka thënë se vota e tij kundër projekt-kodit civil, ka lënë pasoja në raport me kolegët e tjerë brenda partisë.
“Me disa deputetë që nga dita e votimit në Kuvend për projekt-kodin civil kanë ndryshuar raportet. Me ata kam tjera raporte nga që kam pasur”, tha ai në Debat Plus.
Ai tha se nuk e kundërshton kodin në tërësi, por vetëm dy nene.
“Vazhdoj të kem të njëjtat qëndrime absolutisht. Ai kod me ato nene të njëjta nëse vjen në Kuvend do të ketë votën time të njëjtë”.
Rrahmani ka mohuar raportimet se një grup deputetësh konservator do të largohen nga Vetëvendosje.
“Disa deputetë brenda Lëvizjes janë duke i fryrë kësaj linjës [se po largohen nga LVV disa deputetë]. Janë dy-tre deputetë “servil” që mundohen me përfitua prej çdo situate dhe shkojnë te secili deputetë dhe ju thonë se kinse disa deputetë do të largohen nga LVV. Janë këta deputetë që rrinë gjithë ditën në korridore të Kuvendit dhe Qeverisë dhe ata më së shumti pengojnë punën e Kuvendit dhe Qeverisë”.
“Qëllimi kryesorë i tyre është largimi ynë nga LVV pasi e kanë të pamundur ngritjen në parti kur një pjesë e konsiderueshme e jona janë aty. Natyrisht ata nuk mund të veprojnë siç dëshirojnë. Sigurisht se është një metodë shumë e ulët”, deklaroi Rrahmani.
“Do të japë kontributin tim në Kuvendin e Kosovës, aty ku jam deleguar nga qytetarët”, tha ai.