Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22të. Ai e mbajti këtë detyrë nga 23 tetori 1944 deri më 19 korrik 1954 – plot nëntë vite e nëntë muaj e 26 ditë. Në librin e tij “Historitë e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, gazetari dhe pedagogu Roland Qafoku, i jep të njëjtën hapësirë edhe Enver Hoxhë, si edhe drejtuesve të tjerë të shtetit shqiptar. Veçse ai e përdor shumë rrallë përcaktorin “diktator”.
Enver Hoxhës i mjaftuan vetëm pak vite për të ngritur kultin e tij. Këtë e bëri jo vetëm me vrasje, arrestime e dënime, por edhe me vlerësime për veten e tij. Vetëm në pak vite si kryeministër, ai mori 11 dekorata dhe urdhrat më të lartë që merr një shqiptar: Hero i popullit, Urdhër i Lirisë së Klasit të Parë, Urdhër i Flamurit, Medalja e Kujtimit, Urdhri Partizan i Klasit të Parë, Urdhër i Skënderbeut i Klasit të Parë, Urdhër i Trimërisë, Urdhri “Ylli i Kuq”, Medalja e Trimërisë, Medalja e Çlirimit. Kulmi i vetëdekorimit arrin kur, vetëm një vit e 11 muaj si kryeministër, mori urdhrin “Hero Kombëtar”.